Aktuale
Merr rrugë ndërtimi i Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm

Personat me sindromën down dhe ata me autizëm do ta kenë qendrën e tyre me kushte shumë të mira se në ato ekzistuese. Me qëllim që ky objekt të ndërtohet, sot në Komunën e Prishtinës ishte një delegacion nga Turqia për të konkretizuar këtë projekt, shkruan Ndërtimi.info.
Mirëpo, memorandumi për fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj qendre do të nënshkruhet në fillim të muajit prill.
Qendra me 2 mijë e 500 metra katrorë, e cila do të jetë më e madhja në Kosovë, do të ndërtohet në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ndërsa e gjitha do të kushtojë mbi gjysmë milion euro.
Në një konferencë për media, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se me këtë po kurorëzohet puna që ka filluar para një viti, derisa ka treguar strukturën e këtij objekti.
“Është tre kat, 800 metra katrorë bazë, të gjitha sallat që janë diskutuar me Qendrën e Koynas që e kanë punuar si draft ide arkitektët e Koynas me arkitektët tonë, salla të ndryshme për terapi deri te dhomat e trajtimit individual. Për fat të keq momentalisht në këtë fazë nuk do të ketë pishinë dhe hipoterapi, që është terapia me kuaj. Së shpejti do ta realizimin projektin e pishinës olimpike të Prishtinës dhe në afërsi të Prishtinës e kemi një qendër të kuajve, ku fëmijët me autizëm mund të shkojnë për terapi”, tha ai.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Konyas në Truqi, Ziya Yalçinkay shprehu gatishmërinë e kësaj komune për të mbështetur Komunën e Prishtinës në këtë projekt.
“Shpresojmë se me mbështetjen e Komunës, shoqërisë civile dhe me mbështetjen dhe ekspertizën e universiteteve dhe akademikëve do të themelohet një qendër e suksesshme në Prishtinë. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë përvojat dhe eksperiencën tonë qoftë si Komunë apo si Qendra e Autizmit apo edhe të universitetit”, tha ai.
Gjysma e mjeteve për ndërtimin e kësaj qendre do të jepen nga komuna e Prishtinës dhe shoqatat e këtyre kategorive, ndërsa gjysma tjetër nga Qeveria Turke përmes organizatës TIKA./ndertimi.info/
