Aktuale
Komuna e Prishtinës merr pëlqimin për rregullimin e sheshit “Adem Jashari”

Pas ndërprerjes së punimeve për rregullimin e sheshit “Adem Jashari” në qendër të Prishtinës, Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve ia ka dhënë sot pëlqimin Komunës së Prishtinës për vazhdimin e punimeve. Punimet ishin ndërprerë pasi komuna nuk e ka pasur pëlqimin e Komisionit për Vlerësimin e Projekteve Restauruese Konservuese.
Këshilltari i ministrit të Kulturës, Samir Hoxha, tha për Radio Kosovën se projekti ka qenë dashur të miratohej nga instituti, për shkak që hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve.
Ai tha se komuna nuk e ka pasur pëlqimin e Komisionit për Vlerësimin e Projekteve Restauruese Konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve. Hoxha bëri të ditur se sot Komuna e Prishtinës është pajisur me pëlqimin për vazhdimin e punimeve.
“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dalë në vendngjarje dhe ka kërkuar nga operatori ekonomik që të ndërpriten punimet dhe të aplikojë për marrjen e pëlqimit nga ana e institucioneve kompetente. Sot Komuna e Prishtinës është pajisur më pëlqimin nga ana e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve. Besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, tha Hoxha.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, tha se komuna nuk ka qenë e njoftuar se hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve.
“Pasi kanë filluar punimet në sheshin ‘Adem Jashari’, na kanë njoftuar se në një pjesë të tij janë themelet e një hamami të vjetër që ka qenë me herët në Prishtinë, gjë për të cilën ne nuk kemi qenë të njoftuar me parë. Dhe tjetra që është me rendësi, është që ne nuk do të gërmojmë aq thellë sa janë ato themele, por ne vetëm pllakat do t’i ndërrojmë. Inspektorët për trashëgimi kulturore kanë shprehur interesim të bëjnë mbikëqyrjen në ketë pjesë”, tha Tahiri.
Tahiri tha se pas marrjes së përgjigjes pozitive, punimet do të rifillojnë shumë shpejt.
Rrënojat e hamamit të vogël në oborrin e Kuvendit të Kosovës, shtëpia gati njëshekullore, me pronar Gazmend Abrashin, dhe Xhamia e Çarshisë, bëjnë që Sheshi “Adem Jashari” të jetë brenda perimetrit të mbrojtur shkaku i monumenteve. Ndërsa, përmendorja që ka formë trekëndëshi nuk është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore.
