Aktuale
Plani Zhvillimor i Ferizajt, peng i interpretimit nga niveli qendror

Ferizaj po përballet me probleme ligjore që kanë të bëjnë me draftin aktual të Planit Zhvillimor të Komunës.
Ditë më parë pushteti lokal i Ferizajt sërish ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ta vlerësojë në mënyrë legjitime vendimin e KK-së për rishikimin e Planit Zhvillimor Komunal, derisa ky dokument përmban një varg parregullsish dhe gabime teknike, të cilat duhen përmirësuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas zyrtarëve komunalë, ky dokument nuk përputhet me gjendjen faktike dhe me projektin e përgatitur në CD, derisa në disa lokacione parashihen projekte të ndryshme, të cilat nuk mund të realizohen për shkak të gabimeve teknike.
Enver Haliti, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e VV-së, ka thënë se procesi i hartimit të PZHK-së që nga fillimi është përcjellë me një varg parregullsish me arsyetim se është dashur të fillonte që nga viti 2014 në formë të rregullt dhe sipas afatit ligjor.
“Dokumenti aktual i PZHK-së përmban një varg shkeljesh ligjore për të cilat edhe Prokuroria tashmë ka nisur hetime. Gjatë gjithë kohës e kam përmendur disa herë se degradimi i qytetit ka filluar që nga viti 2014, derisa Komuna ka filluar revidimin e dy zonave urbane të qytetit 1 dhe 8 në kundërshtim me Ligjin e planifikimit hapësinor, dhe kjo është vërtetuar nga niveli qendror. Prandaj ato vendime janë vërtetuar si të jashtëligjshme edhe nga niveli qendror”, ka thënë Haliti.
