Aktuale
Shkatërrohet rruga 7 kilometërshe që u rregullua tri vite më parë

Ka vetëm tri vite që u rregullua. Por rruga që të çon nga fshati Hogosht drejt Lisokocës në komunën e Kamenicës u dëmtua fort. Asfalti u ça duke krijuar gropa të mëdha.
Këtë gjendje e publikuan në rrjete sociale qytetarët.
Kjo i ra në sy organeve komunale që ndërmorën masat e përkohshme.
“Pas reshjeve të shiut ajo zakonisht ka pas çarje të tokës ne kemi intervenuar për një afat të shkurtër por kjo është e rrezikshme edhe për qytetarët, kështu që për afat të gjatë mendojmë që do ta kemi edhe ndihmë e Qeverisë së Kosovës”, thotë zyrtarja e komunës për klan kosova.
Kjo rrugë e gjatë 7 kilometërshe u asfaltua nga Ministria e Infrastrukturës ndërsa për të u harxhuan mbi 1 milion euro.
Zëvendësministri i këtij dikasteri qeveritar do ta ndihmoj komunën në meremetim, derisa e pranon që rruga është punuar nga cilësia e dobët e materialeve.
“Kemi planifikuar që të hënën të del inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës të shoh gjendjen si është, ta vlerësoj dhe të bëjë një raport që neve atëherë ta shohim bashkërisht me Komunën e Kamenicës si ta sanojmë atë situatë”, tha Kadriu.
Por punët që duhet të bëhen në këto pjesë nuk janë të pakta.
“Një pjesë diku rreth 60-70 centimetra në thellësi duhet të largohet, të hedhet materiali gur, të ngjeshët atëherë të përgatite për asfalt”, tregoi Kadriu.
Ndryshe, banorët e zyrtarët komunal të Kamenicës thonë se përveç se është prishur asfalti sa herë që bie shi rruga bllokohet nga shembja e gurëve.
