Aktuale
Shkatërrohet Shtëpia e Shëndetit në Veri, serbët fajësojnë shqiptarët

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, persona ende të panjohur për organet e hetuesisë kosovare, kanë sulmuar Shtëpinë e Shëndetit dhe shkollën fillore në Kodrën e Minatorëve në Veri të Mitrovicës.
E për këtë punë, banorët serbë në veri po i akuzojnë shqiptarët. Thonë se këto punë po i bëjnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në atë zonë. Policia po i vazhdon hetimet, ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar apo persona të arrestuar.
Mendohet të kenë qenë disa persona të cilët me mjete të forta si tjegulla dhe kabëza betoni rreth orës 3 pas mesnatës së sotme kanë thyer dritaret e ambulantes dhe shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve në Veri të Mitrovicës. Por ky rast sipas banorëve të lagjes së Minatorëve nuk është i vetmi.
Serbët drejtojnë gishtin kah shqiptarët për shkatërrimin e Shtëpisë së Shëndetit në Veri
Express sot gjatë ditës ka qëndruar në vendngjarje ku qytetarët kanë rrëfyer për ngjarjen. Banorët që jetojnë në këtë lagje kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që bëhen sulme të tilla. Madje pjesëtarët e komunitetit serb në atë pjesë po thonë se shqiptaret e kanë dëmtuar shkollën dhe ambulanten.
“Këtë e kanë bërë shqiptarët”, thotë një banore serbe e veriut të Mitrovicës.
E banorët e tjerë shqiptare që jetojnë në zonën e Minatorëve në veri, po thonë se kjo nuk është hera e parë që bëhen sulme të tilla në atë pjesë.
Për këtë punë, nga policia e Kosovës, thonë se po vazhdojnë hetimet. Sipas tyre ende nuk ka ndonjë të arrestuar.
Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi, për Express ka treguar se nuk ka të lënduar, apo edhe të arrestuar.
“Rasti ka ndodhur në Rr. Qeta e Minatorëve, Mitrovicë 18.03.2018 -03:00h. Persona të pa njohur kanë thyer me mjete të forta ( tjegulla dhe kubza betoni) dritaret në objektin e shkollës dhe të ambulantes”, ka thënë Krasniqi. Më tej, ai tregon se në njërën nga dritaret e thyera të objektit të ambulancës ka shpërthyer një zjarr i intensitetit të dobët i cili është fikur. Sipas tij, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është inicuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm i cili është duke u hetuar.
Ndërkohë që në vendin e ngjarjes tashmë gjendet karabinierët si dhe disa zyrtarë të policisë së Kosovës.
Kronikën e plotë për këtë ngjarje, mund ta ndiqni në edicionin qendror të lajmeve të televizionit TV7, përgatitur nga gazetarja Kaltrina Zymberi.
