Aktuale
Zvarritet ndërtimi i rrugës Nadakovc-Smrekonicë, tenderi kthehet në Rivlerësim

Edhe për një kohë nuk do të bëhet ndërtimi i rrugës Nacionale N2 Nadakovc-Smrekonicë Lot 2. Kjo pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) i ka anuluar Ministrisë së Infrastrukturës dhënien e kontratës për këtë tender, duke e kthyer lëndën në Rivlerësim, shkruan Ndërtimi.info
Kjo erdhi pasi që operatori ekonomik “Sallahu” Sh.P.K Kaçanik kishte bërë ankesë në OShP me pretendimet se Ministria e Infrastrukturës në dhënien e kontratës për këtë nuk ka respektuar nenin 7,54,59,60,68,69,71 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Paneli shqyrtues ka konstatuar se qëndron ankesa e operatorit ekonomik lidhur me atë se kompania e rekomanduar nuk ka ofruar vërtetim se i njëjti operator ekonomik ka mjete të gatshme në xhirollogari.
“Paneli shqyrtues konstaton se qëndron pretendimi ankimor, sepse grupi OE i rekomanduar për kontratë ka ofruar letër referencë nga banka ku në të shkruan se banka do të shqyrtoj mundësinë e financimit në rast se OE në fjalë plotëson kërkesat bankare për financim. Por nuk ka ofruar vërtetim i cili dëshmon se i njëjti OE i rekomanduar për kontratë ka mjete të gatshme në xhirollogari apo qasje të pakushtëzuar në kredi sipas kërkesë së dosjes së tenderit”, thuhet në mendimin e panelit shqyrtues.
Paneli shqyrtues po ashtu ka konstatuar se komisioni i Rivlerësimit nga ana e Autoritetit Kontraktues, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës gjatë ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave ka vepruar në kundërshtim me nenin 59.4 të LPP-së, duke rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik i cili nuk kishte arritur të plotësoj të gjitha kërkesat e FDT-së dhe njoftimit për kontratë ashtu siç janë kërkuar nga AK-ja. Në vendimin e panelit shqyrtues po ashtu thuhet se AK njëherit ka vepruar në kundërshtim edhe me nenin 7 të LPP-së.
Njoftimi për kontratë në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit është bërë me datën 03.07.2017. Kurse hapja e ofertave ishte bërë me 11.08.2017, ku kishin marrë pjesë 11 operator ekonomik.
Ndërsa, njoftimi për dhënien e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës është bërë me 18. 10.2017.
Por që kundër kësaj dhënie të kontratës kishte dalë kompania “Sallahu”, e cila me 19.01 të 2018-ës kishte bërë kërkese tek ministria për rishqyrtim të kësaj dhënie.
