Arkitekturë
Arkitekti Richard Meier largohet nga kompania pas akuzave për ngacmim seksual

Arkitekti Richard Meier, fitues i çmimit Pritzker ka njoftuar largimin e përkohshëm të tij nga kompania e tij pasi është akuzuar për ngacmime seksuale.
Deklarata e Meier erdhi pasi New York Times publikoi akuza nga pesë gra, duke përfshirë katër ish-punonjëse të kompanisë së tij.
“Unë jam thellësisht i shqetësuar dhe i zënë ngushtë nga tregimet e disa grave që u ofenduan nga fjalët dhe veprimet e mia. Ndërsa kujtimet tona mund të jenë të ndryshme, unë sinqerisht kërkoj falje për këdo që u ofendua nga sjellja ime”, tha Meier në një deklaratë të publikuar në faqen e Richard Meier & Partners.
Ai gjithashtu ka treguar se do largohet përkohësisht nga kompania e tij për një periudhë gjashtë mujore.
“Sot, po marr një leje gjashtë mujore si themelues dhe partner menaxhues. Po e lë kompaninë në duart e një ekipi menaxhues të dedikuar dhe të shquar, i cili ka kaluar tre dekadat e fundit duke shërbyer klientët tanë dhe duke ndërtuar suksesin e firmës sonë”, tha Meier.
Katër prej grave të paraqitura në artikujt e New York Times ishin punonjëse të firmës së tij Richard Meier & Partners në kohën e incidenteve. E pesta u takua me arkitektin kur ai punonte në Getty Center në Los Anxheles në vitet 1980.
Raporti i Neë York Times gjithashtu thotë se firma u informua për një incident që ndodhi ndërsa ndihmësja e komunikimit Alexis Zamlich po ndihmonte arkitektin në shtëpi.
Zamlich njoftohet se ka marrë një marrëveshje ligjore prej 150 mijë dollarësh dhe është ndaluar të flasë për ngjarjen, ndërkohë që firmës iu kërkua të mbajë një trajnim të ngacmimit seksual.
