Aktuale
”Lugina e Diellit” po merr pamjen, rasti në gjykatë

Është kryer punë e madhe në ndërtimin e shtëpive në “Luginën e Diellit”, por gjithçka po bëhet pa lejen e qeverisë në Prishtinë.
Shiu herë pas here, por jo shteti mund t’i ndal punimet këtu. Pullazet e reja janë në përfundim e sipër bashkë me disa ndërtesa të cilat duken të gatshme për t’i pranuar banorët e rinj. Krejt kjo po ndodh në hapësirën mes Mitrovicës dhe Veçanti në nën kalanë e kësaj të fundit, raporton Klan Kosova.
E gjitha kjo po ngjanë pa lejen e autoriteteve kosovare të cilat duken se janë dorëzuar karshi projektit serb që nisi të ndërtohet në verën e 2016-ës e për të cilën Serbia do t’i shpenzoj miliona euro.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, përmes postës elektronike ka bërë me dije se nuk ka mundur të bëjë gjë për ndaljen e “Luginës së Diellit”, andaj lëndën e kanë dërguar në Gjykatë.
“Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, për këtë çështje ka inspektuar drejtorinë për Urbanizëm, Komuna Zveçan, me ç’rast ka kërkuar dokumentacionin për ndërtimet në kompleksin “Lugina e Diellit” të cilin dokumentacion kjo drejtori pa ndonjë arsye nuk e ka prezantuar me rastin e inspektimit. Inspektorati me procesverbal e ka urdhëruar këtë drejtori që në afatin e caktuar ligjor të sjellë dokumentacionin për realizmin e këtij projekti, meqenëse kjo drejtori nuk i është përgjigjë urdhëresës së inspektorati për të sjellë dokumentacionin për ndërtim, inspektorati ndaj kësaj drejtorie ka bërë inicim në Gjykatë, pritet vendimi i Gjykatës” thuhet në përgjigjen e MMPH-s
I kontaktuar nga Klan Kosova, kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Nikolla Kabashiq ka mohuar të jetë informuar për këtë inicim.
Derisa Gjykata t’i bie në fije lëndës për “Luginën e Diellit” ky projekt serb që financohet edhe nga Rusia po merr pamjen e përcaktuar nga Beogradi.
E një realitet tjetër i ndërtimit është krejt ndryshe pak minuta më lartë nga kjo pjesë e Zveçanit. Për dhjetëra shtëpi kryesisht prona të shqiptarëve në Kroi i Vitakut ku nuk u lejua rindërtimi.
