Aktuale
Lluka mohon presionin ndaj drejtorit të dorëhequr të “Trepçës”

Në paraditen e së hënës, menaxheri i përgjithshëm i Kombinatit ‘Trepça’, Ahmet Tmava, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrje, ku një nga arsyet e largimit ishte ndërhyrja e ministrit Lluka duke e privuar nga e drejta e ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive.
Deklarime këto që shtyn ministrin Lluka të dal para medieve.
Ai në këtë konferencë për media ka mohuar të ketë bërë presion në drejtorinë e përgjithshme të “Trepçës”.
Lluka ka thënë se Tmavës i kishte skaduar mandati si drejtor dhe ishte autorizuar zëvendësdrejtori dhe drejtori i Financave për veprimet e nevojshme financiare.
“Këtë dua ta demantoj. Së pari një drejtor i përgjithshëm që i ka skaduar afati me 6 shkurt nuk mund të jap dorëheqje. Pra, nuk ka patur mandat…E vetmja kërkese e drejtorit ka qenë që të autorizohet për nënshkrime pra në Bankën Qendrore që të autorizohet për shpenzimet që i bënë “Trepça”. Dhe ne nuk e kemi aprovuar një gjë të tillë, për arsye se ligjërisht i ka kaluar mandati dhe përderisa nuk ka mandat ne nuk mund ta autorizojmë një person pa mandat. Dhe si rezultate është autorizuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm si dhe drejtori i financave të cilët kanë marrë të drejtën për shpenzimet që prekin operacionet e “Trepçës”, ka thënë Lluka.
Ai tutje është shprehur edhe se është duke u shikuar mundësia për rregullimin e situatës së juridike që ka aktualisht “Trepça”. E derisa të mos zgjidhet çështja juridike atëherë nuk do të mund të merret ndonjë vendim rreth Ndërmarrjes së “Trepçës”.
“Përshkak se nuk ka ndonjë status të zgjedhur ne kemi vendosur që në këtë moment të mos marrim ndonjë vendim si Komitet Ndërministror apo një rekomandim të Qeverisë për arsye se nuk kemi ndonjë opinion ligjor të qartë se si duhet të ecim tutje. Si rezultat përshkak të kësaj kemi vënë më shumë presion situatës që ta zhbllokojmë dhe të kemi bord aktiv sa më shpejt që është e mundur”, tha Lluka.
