Aktuale
Edhe SHBA-ja përkrah banorët që kundërshtojnë hidrocentralet në Valbonë

Qeveria e SHBA-së mbështet një dialog të hapur dhe konstruktiv mes shoqërisë civile, kompanive private dhe Qeverisë shqiptare për mbrojtjen e parkut kombëtar të Valbonës në Alpet Shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në fundjavë ka qëndruar në Tropojë, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu. I shoqëruar nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bern Boschard, shefi i Zyrës së OKB-së në Tiranë, përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe të Bashkisë Tropojë, ambasadori i SHBA-së ka marrë pjesë në veprimtarinë “Bashkëbisedim dhe informim” mbi pasojat që shkaktohen nga ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë, organizuar nga shoqata “Toka”.
Në këtë veprimtari morën pjesë dhe ofruan ekspertizën e tyre profesionale disa nga personalitetet më të shquara të Shqipërisë, në fushën e shkencave biologjike, të mbrojtjes së mjedisit dhe legjislacionit mjedisor, si profesorët e Universitetit të Tiranës, Abdullah Diku dhe Lulëzim Shuka. Ndërkohë që kësaj radhe nuk kanë munguar në këtë veprimtari edhe përfaqësuesit e kompanisë koncensionare “Gener 2” që po ndërtojnë hidrocentralet në lumin Valbona.
“Qeveria e SHBA-së mbështet një dialog të hapur dhe konstruktiv mes shoqërisë civile, kompanive private dhe Qeverisë shqiptare. Përgëzojmë të tre për pjesëmarrjen e sotme në këtë diskutim të rëndësishëm. Shpresojmë që diskutimet të çojnë në dialog afatgjatë, që u lejon të treve të punojnë së bashku për zhvillimin e mbrojtjen e burimeve natyrore të Shqipërisë dhe një nga parqet kombëtare më të bukura të Shqipërisë”, tha ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu.
