Aktuale
Muzeu i Historisë së Natyrës nuk ndërtohet pa 4 milionë euro
Me mënyrën e tanishme të ndarjes së buxhetit, për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës duhen nja 40 vjet. Sivjet për këtë projekt Ministria e Kulturës ka ndarë 100 mijë euro. E për konkretizimin e tij duhen hiç më pak se 4 milionë euro. Kjo është kostoja që ka llogaritur projektuesi dhe ajo përfshin vetëm objektin pa investimet në enterier, shkruan sot Koha Ditore.
MKRS-ja del të mos i ketë bërë mirë hesapet kur e ka iniciuar projektin, i cili ende pa ia nisur ka ngecur sërish. Krejt kjo sherri i mjeteve që janë paraparë për sivjet e që janë jo më shumë se 2.5 për qind të kostos totale.
Për më tepër, në janar të 2017-s MKRS-ja kishte llogaritur se me 1 milion euro do ta finalizonte atë. Madje kishte përmendur edhe 2919-n si vit të inaugurimit.
Guri themeltar i objektit për të cilin është caktuar lokacioni në Fushë-Kosovë qe paralajmëruar në gushtin e vitit 2017. Për sivjet me Projektbuxhet ishin paraparë 300 mije euro, por më pas nuk ndanë as gjysmën e kësaj shume. Vitin e kaluar prej 200 mije eurove të ndara për Muzeun ishin shpenzuar jo më shumë se 18 mijë e 600 euro, kur deri në dhjetor u bë gjysma e pagesës për kompaninë projektuese dhe ajo për elaboratin gjeomekanik.
Ka tre muaj që MKRS-ja e ka në sirtar projektin zbatues dhe deri tash nuk ka bërë asnjë hap konkret për t’i nisur procedurat tenderuese për ndërtimin e objektit muzeor.




