Aktuale
Prej ’90-ve kanalizimi midis Kampusit të UP-së, institucionet ping-pong me përgjegjësinë [video]

Të kalosh nëpër kampusin e Universitetit të Prishtinës gjithsesi se do të ballafaqohesh me një rrjedhje të ujërave të zeza, që vazhdon prej më shumë se një dekade. E ditëve të nxehta edhe me kundërmim të padurueshëm.
Kushtrim Hajzeri
Pavarësisht se problemi ekziston me vite e shumë herë është ndërhyrë, zgjidhje të përhershme për të ende nuk ka, shkruan Ndërtimi.info.
Problemi po del të jetë shumë më i madh, e me zanafillë që nga vitet e ’90-ta dhe ka ardhur si pasojë e dëmtimit të kolektorit gjatë ndërtimit të Kishës Ortodokse brenda Kampusit Universitar. Kështu thonë në Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”.
Drejtori teknik i kësaj kompanie, Sokol Xhafa ka sqaruar problemin për Ndërtimi.info.
“Ai problem daton qysh në vitet e 90-ta. Tani ka filluar më shumë të shpërfaqet, jo vetëm tani por që disa vite. Ujësjellësi është e vërtetë që ka obligim të bëjë mirëmbajtjen e tubacioneve dhe kolektorëve, mirëpo në rastin konkret ky kolektor bën pjesë në grupin e kolektorëve të mëdhenj, që nuk është se mjafton vetëm me një mirëmbajtje. Ky kolektor kërkon investime kapitale në ndërrimin komplet të tij. Sepse janë zhvilluar lëvizje brenda trasës që bëjnë të pamundur që ne me autobotët që kemi ta bëjmë një mirëmbajtje të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Ai, ka theksuar se ndërrimi i këtij kolektori është në kompetencë të Komunës së Prishtinës, pasi ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm më mirëmbajtje preventive.
Se problemin duhet ta zgjidhë Komuna e Prishtinës e thonë edhe në Rektoratin e Universitet të Prishtinës.
Prorektorja, Myrvete Badivuku ka thënë për Ndërtimi.info se edhe pse i shfrytëzojnë hapësirat e Komunës, nuk kanë të drejtë të ndërmarrin veprime.
“Këto probleme janë në kompetencë të Komunës së Prishtinës. Ne, jemi shfrytëzues të hapësirave, të pronës tokësore, mirëpo nuk kemi ndonjë kompetencë të ndërmarrim diçka. Mund të jetë se gypat janë vjetruar apo diç tjetër…. Takime me komunën për këtë çështje nuk kemi pasur, por komuna pasi e mbulon këtë hapësirë është dashur që të kujdesej dhe të ndërmerrte masa”, ka potencuar ajo.
Por, Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës, përgjegjësinë për ndërhyrje e hedh tek Rektorati dhe Ujësjellësi.
“Me dispozitat ligjore në fuqi sanimi dhe mirëmbajtja e kanalizimeve të ujërave fekale i takon Ujësjellësit Rajonal Prishtina, pasi ata e marrin një taksë me faturat mujore që qytetarët i paguajnë për ujë dhe mirëmbajtje të kanalizimeve. Komuna e Prishtinës është kompetente për mirëmbajtje të ujërave atmosferik dhe atë e bënë rregullisht… Në këtë rast Komuna e Prishtinës nuk është fare palë e përfshirë. Hapësira në të cilën është Universiteti, i gjithë perimetri menaxhohet nga Rektorati. Pra, kjo çështje do të duhet zgjidhej në mes Universitetit të Prishtinës dhe Ujësjellësit”, ka theksuar ajo.
Mirëpo, sipas saj Komuna ka dërguar ekspertë për të parë ku është problem dhe se gypi duhet të ndërrohet e pranon edhe ajo. Por se kur do të ndodhë kjo ende nuk dihet.
