Aktuale
AKP-ja merr nën administrim 1 mijë e 310 hektarë tokë shoqërore në Shtërpcë

1 mijë e 310 hektarë tokë shoqërore të Shtërpcës tani e tutje do të jenë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Këto prona që janë të ndara në 133 ngastra deri tani ishin nën menagjimin e ndërmarrjes shoqërore NSH “Zadruga”, Shtërpce. Por, tani e tutje kompetenca për to i ka kaluar AKP-së, shkruan Infokusi.com.
“Pronat e identifikuara e të vendosura nën administrim të AKP-së kanë sipërfaqe prej 1,309 hektarë e 42 ari e 84 m2, janë të ndara në 133 ngastra dhe shtrihen në 5 zona Kadastrale.
Aktualisht, përfshirë këtu edhe këto ngastra të posa identifikuara, prona e NSH “Zadruga” arrin në total 896 ngastra me sipërfaqe prej gjithsej 5,847 hektarë 77 ari e 83m2.”
Kështu ka njoftuar vet AKP-ja, përmes një komunikate drejtuar medieve.
Në komunikatë thuhet se deri të identitfikimi i këtyre ngastrave ka ardhur si rezultat i ngritjes së nivelit të bashkëpunimit profesional dhe ndër-institucional.
“Si rezultat i ngritjes së nivelit të bashkëpunimit profesional dhe ndër-institucional, zyrtarët e AKP-së, konkretisht Zyra Rajonale e Prizrenit, në koordinim me Zyrën Kadastrale të Komunës së Shtërpces, kanë arritur që së fundmi të identifikojnë prona shtesë të ndërmarrjes shoqërore NSH “Zadruga”, Shtërpce. “
Në AKP, këtë e vlerësojnë si një progress të jashtëzakonshëm të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në identifikimin e aseteve të reja në pronësi shoqërore, objektivë kjo me prioritet të lartë në këtë Agjenci.
Ndryshe, vetëm vitin e shkuar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka identifikuar dhe ka vënë nën administrim 36 asete të reja, që më herët nuk i kishim në regjistër të Agjencisë.
