Arkitekturë
Foster + Partners premton të ndërmarrë veprime mbi pagat dhe barazinë gjinore

Foster + Partners është bërë studioja e parë e madhe e arkitekturës që do të angazhohet të sjellë ndryshim në nismën “Move the needle”.
“Ne do të dëshironim që zyrtarisht ta vendosnim emrin tonë në fushatën “Move the needle” e nisur nga Dezeen, tha Katy Harris, partnerja e lartë dhe kreu i komunikimeve në kompaninë e Norman Foster, transmeton Ndërtimi.info.
Ky veprim vjen pasi kompania e arkitekturës, e cila është e 14-ta më e madhja në botë dhe ka të punësuar rreth 1,500 punonjës, treguan pagat në bazë të gjinisë të të gjithë stafit.
Foster + Partners raportoi se paguan gratë 10.5 për qind më pak në orë se meshkujt. Tani është zotuar të përmirësojë këtë statistikë.
“Unë konfirmoj se jemi të përkushtuar për të mbyllur boshllëkun tonë të pagave dhe po inkurajojmë më shumë diversitet gjinorë në nivel të lartë. Si punëdhënës me mundësi të barabarta, ne jemi të përkushtuar për të adresuar diversitetin dhe për të ofruar mundësi të përshtatshme karriere për të gjithë”, tha Harris.
Ai zbuloi se disa iniciativa janë duke u zbatuar për të promovuar diversitetin, duke përfshirë programet e mentorimit dhe përfitimet për prindërit që ndajnë pushimin prindëror.
“Ne kemi ngritur forume angazhimi, së bashku me nismat e zhvillimit dhe mentorimit, dhe jemi një partner i Forumit të Arkitektëve të Rrjetit të Grave në Arkitekturë”, tha ajo.
Vitin e kaluar, sondazhi i Dezeen mbi barazinë gjinore në nivelet më të larta të menaxhimit të kompanive më të mëdha të arkitekturës në botë, zbuloi se Foster + Partners kishte vetëm një partner të lartë (senior) femër nga 18 të tillë dhe asnjë partner të lartë ekzekutiv femër nga 10 të tillë.
Kompania, e cila u themelua nga Norman Foster në vitin 1967, është e njohur për projekte që përfshijnë The Gherkin në Londër, Gjykatën e Madhe në Muzeun Britanik dhe Apple Park në Kaliforni. Projektet aktuale përfshijnë një kompleks kulturor në Stokholm, shtatë stacione të reja të Sydney Metro dhe kulla më e lartë e Polonisë.
Sondazhi gjithashtu zbuloi se vetëm tre nga 100 firmat më të mëdha të arkitekturës në botë drejtohen nga gratë dhe vetëm dy prej tyre kanë skuadra menaxhimi ku janë më shumë se 50 për qind femra.
Këtë javë, Dezeen ka nisur një iniciativë për të përmirësuar barazinë gjinore të quajtur “Move the Needle” (Zhvendosni gjilpërën), për të përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Së bashku me Foster + Partners, Dezeen ka pranuar angazhime nga kompani të ndryshme arkitekturore të shumta dhe praktika të projektimit për të “zhvendosur gjilpërën”.
Pesë konferenca ndërkombëtare të dizajnit gjithashtu janë angazhuar për përmirësimin e barazisë gjinore të folësve në ngjarjet e tyre. Java Holandeze e Dizajnit, Festivali Botëror i Arkitekturës, Instituti Amerikan i Arkitektëve, CES dhe MIPIM kanë thënë se do të përmirësojnë barazinë gjinore.
