Aktuale
Mbi 6 milion metër kub gur gëlqeror nxirren nga shpërthimet në Kosovë [VIDEO]
Dita e minimit në zonën e Javorit të Suharekës fillon herët. Pasi janë hapur vrimat, ato mbushen me eksploziv. Gjithçka mbikëqyret nga inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, që pas shpërthimit ata dorëzojnë do të një raport.
Çdo gjë pas këtij shpërthimi, sipas kryeinspektorit të minierave Fatmir Gërguri, ka një plan. Ai hartohet nga inspektori i lartë i minierave dhe eksplozivëve. Më pas shkon në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e prej aty te KFOR-i. Shpërthime të tilla ndodhin me qindra në Kosovë, kurse masa që përfitohet është mbi 6 milionë metër kub.
Kushtrim Balaj nga kompania “Graniti”, drejtues i gurores tregon se procedurat gjithmonë janë të njëjta dhe duhet të ndiqen.
“Duhet lajmëruar policia dhe aeroporti. Duhet të bllokohen rrugët që kalojna afër, në perimetër deri 30 metra”, thotë Balaj.
Ai shton se nga një shpërthim del material i mjaftueshëm, dhe me kosto shumë më të volitshme se më parë, teksa kualiteti i materialit është shumë i mirë.
“Kemi marrë gur nga Maqedonia, tash kemi bërë ekspertizat, ky guri jonë është shumë i mirë”, shtoi ai.
Kurse nga të dhënat që ka siguruar Ndertimi.info vetëm vitin e kaluar janë bërë 887 kërkesa për minime, ndërsa 58 kërkesa për transfer të eksplozivit. Ndërsa 729 është numri i lejeve të lëshuara për miniera sipërfaqësore, 56 për miniera nëntokësore dhe 5 leje të anuluara për miniera sipërfaqësore.
Eksplozivi më i përdorur del të jetë ANFO, që është shpenzuar në sasinë 3 milion e 386 kilogram, teksa eksplozivët Ammonite, Emex e Magnum janë shpenzuar shumë më pak.
Ndërsa nga shpërthimet e ekzekutuara është përfituar mbi 6 milionë metër kub masë nga guri gëlqeror.
E këtë vit, vetëm deri në fund të muajit maj, janë lëshuar 275 leje për miniera sipërfaqësore, 49 kërkesa janë anuluar për minime të anuluara, 25 kërkesa për transfer të eksplozivit, e dy transfere janë anuluar për eksploziv.
You must be logged in to post a comment Login