Aktuale
Rrëshqitjet e rrezikshme te tuneli i Mitrovicës do të sanohen me 350 mijë euro, thotë Kadriu

Rrëshqitja e kurorës së tunelit në hyrje të Mitrovicës është bërë problem për banorët e shtëpive krejt pranë tij.
Në rritjen e problemit dyshohet të kenë ndikuar edhe kanalizimet e këtyre shtëpive. Këtë gjë po e thotë edhe vetë banori i kësaj zone, Esat Begu.
“Prej vitit 2003 deri tash tuneli nuk ka pikur ujë. Tash edhe verës kur janë temperaturat e larta tuneli vazhdon me qenë i lagtë. Mendimi jem është se janë shtëpitë lartë dhe pikë ndonjë burim uji apo kanalizim…Këtu është rreziku shumë i madh, se në një vend ku rrjedh uji prishet konstruksioni dhe ne e dimë vjetërsinë e këtij tuneli, dhe vjetërsia e saj është rrezik për banorët lartë. Mirëmbajtja e tij është shumë e ulët”, tregoi Begu.
https://www.facebook.com/ndertimiinfo/videos/347252549123418/
Rrëshqitja e kurorës së tunelit në hyrje të Mitrovicës dhe rrëshqitja e dheut në rrugën afër Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok nxorri në teren zëvendësministrin e infrastrukturës, Rexhep Kadriu.
Për të dyja këto telashe, ai dha urdhër që të ndërmerren masat e menjëhershme. Kadriu thotë se gjendja e tunelit nuk është e mirë dhe për brenda dy ditëve do të ketë lëvizje.
Aty parashihet të investohen 350 mijë euro për sanimin total.
“Masat që ne do t’i marrim shpejt brenda këtyre dy-tri ditëve do ta sigurojmë vendin aty ku mund të ketë rrëshqitje këtyre ditëve. Mirëpo jemi edhe në përgatitje të projektit zbatues…Është paparë që të pastrohet komplet struktura e betonit, struktura e vjetër e cila është jashtëzakonisht e dëmtuar, të bëhet mbushja-injektimi i pjesëve të betonit, hidroizolimi dhe të hedhet pllaka e re e tunelit”, tha Kadriu.
Reshjet atmosferike preken edhe rrugën në afërsi të Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok. Rrëshqitjen e rrugës në këtë segment e vizitoi nga afër zëvendësministri dhe kabineti i Ministrisë së Infrastrukturës.
Ata kërkuan nga kompania kontraktuese që qysh nesër të hedh zhavorr të mjaftueshëm deri në zgjidhjen përfundimtare. Por, Kadriu ka theksuar se në këtë rrugë do të vendoset edhe një mur mbrojtës i betonit.
“Ne dhamë sugjerimet tona, dham urdhër kompanisë qe menjëherë nga dita e nesërme të filloj punimet në masa të cilat që duhet të merren këtu. Të hedhet zhavorri i mjaftueshëm deri në zgjidhjen përfundimtare në përmirësimin e kohës, diku në gjysmën e prillit do ta sanojmë tamam si duhet këtë pjesë. Sepse duhet të vendoset një mur mbrojtës i betonit i cili është i domosdoshëm”, potencoi Kadriu.
Ndryshe, nga reshjet atmosferike zonat më të prekura kanë qenë Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva.
