Aktuale
Ismaili: Hajnia ka shkuar edhe tek memorialet e UÇK-së

Në 20 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili ka thënë se kujtimi për dëshmorët nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ai ka folur edhe për komplekset memoriale dhe mirëmbajtjen e tyre, e në veçanti atë të familjes Jashari në Prekaz.
Ismaili në Info Magazine në Klan Kosova ka theksuar se hajnia ka shkruar deri në memorialet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Nuk i kemi nderuar mjaft ata të cilët janë flijuar duke nisur nga Adem Jashari edhe të tjerët. Hajnia që është bërë këto vjet ka shkuar aq larg sa ka shkuar edhe në memoriale të UÇK-së”, ka thënë Ismaili.
Ai ka folur edhe për projektin që ka të bëjë me restaurimin e Kullave të Jasharajve, ku ka treguar se ka pranuar një e-mail nga një arkitekt i cili thotë se ka mangësi të shumta në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Megjithatë ai kërkon që çështja e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” duhet të hetohet, dhe se agjencia që menaxhon komplekset memorialë duhet të dijë se si e shpenzon buxhetin.
“Para pak ditësh, kam marrë një e-mail prej një arkitekti që tregon se ka shumë mangësi në kompleksin e Prekazit i cili po shkon drejt shkatërrimit. Memoriali është duke u shkatërruar, ata ose duhet ta prezervosh me kohë ose përfundon duke e restauruar gjithë kohën, zakonisht gjërat që restaurohen janë qindra vjet të vjetra e jo 20 vjet. Ai më ka thënë që projekti që duan ta aplikojnë është i tmerrshëm, një projekt tjetër që është i mirëfilltë po neglizhohet. Kjo çështje duhet të hetohet, një agjenci që menaxhon komplekset memoriale, duhet t’i dijë se si e shpenzon buxhetin. Memoriali nuk kërkon shumë shpenzime, diçka komplekse si ai në Prekaz po, ki përmendore që duhet vetëm t’i pastrosh, pra nuk ka kosto aq të madhe, ka dyshime se janë manipuluar ato fonde dhe duhet të merren vesh. Dikush duhet të përgjigjet për to”, është shprehur Ismaili.
