Aktuale
Ministrja Reshitaj përgjigjet për ndërtimin pa leje të KUR “Radoniqi”

Në seancën që po zhvillon Kuvendi i Kosovës, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka ndritur çështjen e një ndërtimi pa leje nga ana e nga Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Radoniqi” në Gjakovë, shkruan Ndërtimi.info.
Ajo ka parashtruar pyetje për ministren e MHPH-së, Albena Reshitaj në lidhje me atë se çfarë ka bërë kjo ministri për këtë çështje. Në anën tjetër ministrja Reshitaj është përgjigjur se ishte konstatuar se “Radoniqi” po ndërtonte një fabrikë pa leje ndërtimore, por pas intervenimit të Inspektoratit të MHPH-së ka pakryer procedurat për leje dhe është pajisur më një të tillë.
“ ’Radoniqi’ është duke zhvilluar punimet për ndërtimin e fabrikës së ujit të pijes, faza e II, në Gjakovë. Inspektorati i MHPH-së më 26 dhjetor 2016 ka inspektuar punimet dhe konstatuar se po zhvillohet një ndërtim pa leje dhe ka marrë të gjitha masat për ndalimin e punimeve, në harmoni me bazën ligjore në fuqi. Kompania ka respektuar urdhëresat e Inspektoratit dhe zhvilluar procedurat për pajisje me leje ndërtimore. Në inspektimin e radhës më 21 mars 2017, Inspektoratit i është prezantuar leja ndërtimore, me të cilën organi kompetent i MHPH-së lejon ndërtimin e stacionit për përpunimin e ujit, KRU ‘Radoniqi’ “, është përgjigjur Reshitaj.
Ndërsa sa i përket objektit të administratës, që ka qenë ekzistues para luftës në Kosovës Reshitaj , i dëmtuar dhe demoluar nga lufta është rindërtuar në themelet ekzistuese pa u ripajisur me leje ndërtimore.
Ajo, ka shtuar se tashmë janë krijuar grupe që po punojnë në lidhje me lejet mjedisore dhe lejet ndërtimore .
“Unë me të marrë këtë post kam kërkuar raport për të gjitha të dhëniet e pëlqimeve mjedisore, lejeve mjedisore dhe lejeve ndërtimore. Kam krijuar një grup të ekspertëve nga ministria dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët i kam angazhuar brenda MHPH-së për t’i rishikuar të gjitha këto leje që janë dhënë. Ata janë duke punuar dhe janë në fazën e përgatitjes së raporteve”, ka thënë ajo.
