Connect with us

Aktuale

Lirimet nga taksat për lëndë të parë barazojnë prodhuesit vendor në treg

Published

on

Nga 1 janari i këtij viti kanë nisur të zbatohen dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për lirimet nga taksat doganore për lëndë të para për prodhuesit vendorë. Vendimi kryesor parasheh që të gjithë prodhuesit të lirohen nga pagesa e taksës doganore dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), “për lëndën e parë gjysmë produktet”, si dhe “produktet që i fusin në funksion të prodhimit”.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka publikuar dy lista të bizneseve që kanë përfituar nga këto lirime.

Në listën për importim të lëndës së parë janë 150 biznese, ndërsa në listën që janë liruar për importimin e pajisjeve të teknologjisë informative janë 15 subjekte biznesore, shkruan Telegrafi.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Telegrafi se tashmë ky vendim i Qeverisë ka filluar të zbatohet dhe se deri më tani janë shqyrtuar më shumë se 300 kërkesa për lirime doganore.

“Dogana e Kosovës së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, nga data 1 janar kanë filluar zbatimin e vendimit ashtu siç është paraparë. Ky vendim lidhet me lirimin e lëndës së parë, pajisjeve prodhuese dhe atyre të teknologjisë informative. Deri më tani janë shqyrtuar më shumë se 300 kërkesa, ku 200 prej tyre janë aprovuar dhe deri më tani çdo gjë është duke shkuar shumë mirë”, tha Stavileci.

Sipas ATK-së, nga fillimi i vitit 2018 e deri më tani numri i kërkesave të shqyrtuara për lirim të TVSH-së në importimin e lëndës së parë dhe pajisjeve të teknologjisë informative ka arritur në 356.

“Prej tyre 346 kërkesa janë për lirim të lëndës së parë dhe 10 për pajisjet e teknologjisë informative. Gjithsej 272 kërkesa janë aprovuar dhe 79 janë në proces të trajtimit, ndërsa 5 të tjera janë refuzuar”, thuhej në njoftimin e ATK-së.

Pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kasumi, tha për Telegrafi se ky vendim është një hap shumë i qëlluar dhe që është kërkuar shumë moti.

“Është një hap shumë i mirë, shumë i qëlluar që moti është kërkuar. Ky vendim ka ardhur me vonesë, por le të jetë më mirë vonë se kurrë. Ne si biznese nuk kemi kërkuar asgjë tjetër, por vetëm të jemi të barabartë me prodhuesit e tjerë në rajon të cilët janë prezent tek ne me produktet e tyre. Ky vendim është i qëlluar dhe është duke funksionuar shumë mirë”, tha Kasumi.

Sipas tij, ky vendim dhe Pako Fiskale, e miratuar në shtator të 2015-së, i ka vendosur bizneset në pozitë të barabartë me konkurrentët të cilët janë prezent me produktet në Kosovë.

“Duke filluar më Pakon Fiskale 1.0 së bashku me këtë vendim do t’i ndihmojë bizneset prodhuese edhe më shumë. Deri më tani janë dhënë efektet e para, pasi që ne e kemi rritur eksportin për 300 për qind krahasuar me vitin 2016. Pra, Pakoja Fiskale 1.0 dhe ky vendim kanë bërë që të jemi të barabartë me konkurrentët që janë prezent me produktet në Kosovë”, tha ai.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, në një prononcim për Telegrafi, tha se ky vendim nuk do ketë efekt në Buxhetin e Kosovës, pasi që mbledhja e TVSH-së tash nuk do të bëhet në kufi por brenda vendit pasi produkti të del në treg.

“Janë liruar lëndët e para, prodhohet nga kjo lëndë dhe pasi që të del në treg pas prodhimit atëherë fillon mbledhja e TVSH-së, pra ku deri më tani TVSH-ja është mbledhur në kufi tash ka kaluar brenda në vend”, tha ai.

Sipas Gashit, deri më tani efekti në buxhet prej lirimeve tatimore nuk kanë qenë të mëdha.

“Deri më tani efekti në buxhet prej lirimeve tatimore ka qenë rreth 350 mijë euro, ku ne Buxhetin e këtij viti e kemi planifikuar së bashku me këto lirime”, tha zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi.

Ndryshe, përmes Udhëzimit Administrativ 03/2015, nenit 48 janë përcaktuar kushtet dhe detajet e tjera për mënyrën e realizimit të këtyre të drejtave ligjore. Përmes kërkesës së tatimpaguesit, e cila duhet të shkarkohet në faqen online të ATK-së, si dhe dokumenteve tjera të duhura që duhet të bashkëngjiten, atëherë Komisioni i ATK-së i autorizuar për këto lirime do t’i shqyrtoj këto kërkesa brenda 15 ditëve, nga dita e pranimit të saj. Bazuar në dokumentin e aprovimit për lirim nga TVSH-së të lëshuar nga ATK, Dogana do të lirojë mallrat nga TVSH-ja me rastin e importimit.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending