Aktuale
Miratohet rregullorja për taksa në Podujevë

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën themeloi komitetet e përhershme, Komisionin për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës. Kuvendi miratoi edhe Rregulloren për taksa tarifa dhe gjoba komunale, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Financave dhe WPL-së.
Në mbledhjen e Kuvendit, që u kryesua nga Kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku mori pjesë është nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarë të ekzekutivit të Komunës, fillimisht kanë dhënë betimin dy këshilltarët e rinj: Afrim Shabani i LDK-së dhe Benjamin Ejupi i Partisë së Drejtësisë.
Pas miratimit të rendit të ditës, Kuvendi procedoi me themelimin e dy komiteteve të përhershme të Kuvendit të Komunës (Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete), raporton InfoKomuna.
Lidhur me këtë çështje u diskutua gjatë për formulën e përfaqësimit të subjekteve politike në Komitetin për Politikë dhe Financa si dhe përfaqësimin gjinor.
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa prej nëntë anëtarësh, në përbërjen e të cilit do të jenë: kryesuesi i Kuvendit dhe katër këshilltarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy këshilltarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe dy këshilltarë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kuvendi me shumicë votash formoi edhe Komitetin për Komunitete prej nëntë anëtarësh, i cili përbëhet nga pesë anëtarë të propozuar nga komunitetet pakicë (jashtë Kuvendit) si dhe prej dy anëtarëve të LDK-së dhe nga një anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi gjithashtu debatoi për themelimin e Komisionit Statutar për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës. Pas diskutimeve lidhur më këtë pikë, Kuvendi miratoi vendimin për themelimin e Komisionit Statutar prej nëntë anëtarësh, në përbërjen, e të cilit janë gjashtë anëtarë nga Kuvendi dhe tre nga ekzekutivi i Komunës.
Kuvendi gjithashtu miratoi Planin e punës së Kuvendit për vitin 2018, me disa propozime për plotësimin e tij.
Në mbledhje u miratua edhe kërkesa për ndihmë financiare e Qendrës së Rehabilitimit “HANDIKOS” – Podujevë.
