Aktuale
Qiramarrësit e rinj në Prishtinë zgjedhin çmimin e jo kualitetin e ndërtimit
Studentët që vijnë në Prishtinë, janë nga anembanë Kosova. Përveç konvikteve që strehojnë një numër të caktuar studentësh, ata kryesisht detyrohen të marrin me qira ndonjë dhomë shtëpie apo edhe ndonjë banesë, të cilën e ndajnë me shoqëri. Në përzgjedhjen e vendit ku do të jetojnë përgjatë studimeve në Prishtinë, studentët ndikohen nga çmimi, lokacioni por edhe nga karakteristika tjera të enterierit.
Pranvera Reshitaj, studente në vitin e parë në Departamentin e Matematikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka theksuar se kusht që ajo të marrë një banesë është që qiraja të jetë jo më e lartë se 50 euro dhe objekti të jetë afër fakultetit ku ajo studion.
“Banesën nuk kam mundësi që ta marrë nëse më duhet të paguajë më shumë se 50 euro. Gjithashtu me rëndësi është që ajo të jetë afër fakultetit ku studio dhe dhoma e gjumit të jetë komforte.”, ka thënë ajo për Ndertimi.info.
Ndërkohë studenti i Departamentit të Gazetarisë, Valmir Gallopeni, është shprehur se kusht për përzgjedhjen e banesës është që ajo të jetë afër vendit të tij punës dhe të kushtojë deri në 50 euro.
“Unë studioj dhe punoj, ndërsa banesën dua ta marrë në mënyrë që ajo të jetë afër vendim tim të punës, më saktësisht në lagjen Aktash. Për të jam i gatshëm të paguajë deri në 50 euro dhe përveç dhomës së gjumit, preferoj edhe një kuzhinë me të gjitha pajisjet e nevojshme”, ka thënë ai.
Edhe agjencione të patundshmërisë që ofrojnë njësi banimi me qira, theksojnë se në përgjithësi në zgjedhjen e tyre studentët ndikohen nga lokacioni që u përshtatet por në raste të caktuara edhe rregullimi i brendshëm i banesës.
Një përfaqësues i agjencionit “Kalabria” tha se kompania e tij ofron njësi me qira me çmime të ndryshme, varësisht prej sipërfaqes dhe mobilimit ndërsa shtoi se studentët në përzgjedhje kryesisht ndikohen nga banjo dhe kuzhina.
“Ne kemi banesa të madhësive të ndryshme në të cilat mund të strehohen deri në 6 studentë. Nga përvoja që e kam, mund të them se në zgjedhje ata ndikohen kryesisht nga pastërtia e tualetit dhe nga kuzhina”, ka theksuar ai.
Ndërkohë nga agjencioni “Pro Real Estate” kanë theksuar se banesat e tyre variojnë në çmime të ndryshme, në bazë të lokacionit dhe kushteve.
“Banesat tona variojnë nga 150-300 euro varësisht nga kushtet dhe vendndodhja. Në përgjithësi djemtë e mirëmbajnë më mirë banesën.”, ka thënë një përfaqësues i kompanisë.
You must be logged in to post a comment Login