Aktuale
Biblioteka Kombëtare me shumë probleme, arkitekti Ramku tregon për konservimin që do t’i bëhet

Bibliotekës Kombëtare e Kosovës “Pejtër Bogdani” do të t’i bëhet një konservim, kryesisht hapësirave të brendshme.
Arkitekti, Bekim Ramku, i cili ka punuar në planin për menaxhimin dhe konservimin e ndërtesës emblematike të Kosovës, në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar problemet të cilat i ka ky objekt.
“Kryesorja besoj që është infiltrimi i ujit. E dyta është sanimi i kanalizimit dhe ujit. Janë tepër të degraduara sepse nëse shkojmë nëpër banjo e vërehen. E treta është elektrika. Është me sistem të vjetërsuar dhe nëse flisni me drejtorin iu tregon që dimrit ka muaj që atyre iu vjen faktura deri në 30 mijë euro, për një muaj. Kjo është një kosoto tepër e madhe. Faktorët janë izolimi, vetitë izoluese që kanë humbur, xhamat. Diku rreth 800 mijë dollarë është llogaritë ndërrimi i gjithë sistemit elektrik”, ka thënë ai.
Ramku ka theksuar se kanë kontaktuar edhe me arkitektin e Bibliotekës Kombëtare dhe sipas tij që në punët fillestare për themelet e objektit ka pasur probleme të mëdha.
“Biblioteka ka shumë probleme. Realisht janë ato akutet që i dinë të gjithë. Është infiltrimi i ujit, infiltrimi i ujit prej kulmit dhe infiltrimi i ujit prej themelit. Ka qenë një problem i madh që me Mutnjakoviçin e kemi fol dhe menjëherë e ka ditë ku ka qenë problemi sepse kur janë punuar themelet kanë qëlluar në një damarë, në një lum nëntokësor që është dashtë të sanohet, ai është sanua me ndërtimin e një vaske ë betonit, e cila është izoluar dhe pastaj është punuar edhe një tjetër, themeli i ri. Sipas Mutnjakoviçit ka qenë eksperienca e parë që ‘Ramiz Sadiku’ ka punuar diçka të tillë dhe nuk besojmë që është realizuar mirë. Ai vetë e thoshte se izolimi u shkelte dhe materiali ndërtimor është vendosur mbi tehet e kështu me radhë”, ka shtuar ai.
Tutje Ramku ka nënvizuar se puna është e ndarë në disa faza, duke treguar se ka faza që nuk ende nuk është llogaritur kosotoja.
“Punët janë me faza. Fazën që nuk e kemi përcaktuar ka qenë enterieri, ne kuptimin e ripunimit të orendive dhe ndërrimit të xhamave, në kuptimin e punimeve të drurit. Kanë qenë disa propozime që ato të largohen krejt, pra ditarë të reja. Kostoja e asaj pune kishte me qenë shumë e lartë. Një propozim tjetër kur kemi me ‘Getty Conservation Institute’, disa pjesë me u ndërrua. E kanë pas një rast të tillë shumë të ngjashëm në Amerikë dhe na i kanë dërguar detajet si kanë intervenuar. Kjo pjesë nuk është llogaritur. Si thashë enterieri, orenditë, shumica e mobilieve janë të ruajtura ende në një depo, por janë në një gjendje të keqe. Tash sa mund të riparohen ato, duhet të riprodhohen nuk kemi marrë ndonjë feedback prej disa firmave që me na dhënë një mendim të tyre. Ajo nuk ka qenë pjesë e llogarisë tonë”, ka shtuar arkitekti.
Arkitekti Ramku ka treguar se është llogaritë edhe ndërhyrja në podrume, derisa ka shpjeguar propozimin e tyre.
“Ne e kemi propozuar një sistem me puse, që kishte me shkua rreth e rrotull objektit në pika të caktuara, e kishte mbledhë ujin dhe ishte larguar pastaj në një pjesë më ta lartë, në tokë ose kishte me hy sistem të kanalizimit të qytetit. E, dyta ka qenë izolimi i kulmit. Për këtë pjesë e di që Ministria vjet i ka ndarë fondet. Drejtori i Bibliotekës ka sugjeruar që me prit përfundimin e planit tonë të konservimit”, është shprehur ai.
Ndërsa, sa i përket pjesës së jashtme të Bibliotekës, ai ka treguar se ndërhyrje do të ketë në pastrimin e fasadës dhe në disa elemente të vogla, pasi konservimi është i përqendruar në hapësirat e brendshme.
