Aktuale
Shqipëria po i bën luftë EURO-s për ta forcuar LEKU-n

Në një kohë kur euro ka zbritur në pikiatë, duke prekur nivelin e 132 lekëve, një lajm i mirë vjen nga tregu i këmbimit. Banka e Shqipërisë pritet të ndërhyjë sot në treg, duke blerë deri në 6 milionë euro.
Bëhet fjalë për ankandin për rritjen e rezervës valutore. E thënë ndryshe, institucioni mbikëqyrës bankar del në treg dhe blen euro për të rritur rezervën valutore të tij, duke përdorur si mjet pagese lekun shqiptar. Një ndërhyrje e tillë pritet të frenojë rënien e mëtejshme të monedhës së përbashkët europiane, pasi do të tërheqë një pjesë të ofertës për euro që është sot në treg, duke rivendosur ekuilibrat. Në ankandin e sotëm pritet të blihet një sasi euroje nga 3-6 milionë euro.
Burime nga Banka e Shqipërisë shpjegojnë se ndërhyrja në treg ka qenë e planifikuar dhe e njoftuar më herët, sipas një kalenderi të publikuar në Reuters që në datën 5 dhjetor 2017 për të gjitha ankandet që do të bëhen gjatë këtij viti. Ekspertët shpjegojnë se ky është një lajm i mirë për të frenuar rënien e euros, që po shkaktohet nga një kombinim faktorësh. Por jo vetëm kaq. Edhe për vetë Bankën e Shqipërisë, që do të përfitojë nga euro e dobët për ta blerë më lirë atë për rritjen e rezervës valutore të saj.
Ekspertët: Euro me shumicë në treg, nuk e blen njeri
Rënia e fortë e euros në tregun tonë të këmbimit vijon tashmë prej disa javësh. Ekspertët mendojnë se është një kombinim faktorësh. E para, është ndikimi i bursave ndërkombëtare. Euro ka rënë në tregjet botërore, duke u shkëmbyer me 1.23 dollarë. Një ecuri që reflekton politikën që po zbaton Banka Qendrore Europiane për forcimin e eksporteve europiane. Faktori i dytë që japin ekspertët është oferta e madhe e euros në treg, ndërkohë që kërkesa është e ulët. Ata shpjegojnë se sot në tregun valutor shqiptar ka një sasi të madhe eurosh, me origjinë të dyshimtë nga kanalet informale dhe për kërë arsye, institucionet duhet të bëjnë një studim për burimet se nga vjen kjo sasi euroje. Nga ana tjetër, kërkesa është e dobët, për shkak edhe të zbehjes së importeve. Sipas ekspertëve, prishja e këtij ekuilibri po ndikon në rënien e monedhës europiane.
Rënia e euros godet eksportet, një ndër shtyllat e ekonomisë
Rënia e fortë e euros ka goditur jo pak eksportet, një ndër shtyllat që mban në këmbë ekonominë shqiptare. Kjo pasi aktiviteti i eksportuesve zhvillohet i gjithë në euro. Si rrjedhojë, një euro e dobët bën që për të njëjtat shërbime, eksportuesit të arkëtojnë më pak dhe rrjedhimisht, ulet aftësia e tyre për të riinvestuar, për të hapur vende të reja pune apo edhe për të rritur eksportet, një ndër zërat kryesorë që po financojnë aktualisht rritjen ekonomike të vendit.
Rrëth dy javë më parë, Kryetari i Shoqatës së Eksporteve, Alban Zusi dha alarmin për goditjen që po merrte sektori nga zhvlerësimi i euros. Sipas tij, humbjet janë të konsiderueshme për këtë degë të ekonomisë, që ka edhe një numër të madh të punësuarish. Vetëm nga rënia e euros me rreth 6% në harkun kohor të një viti, nga rreth 140 lekë në 132-133 lekë aktualisht, të ardhurat e eksportuesve në total janë tkurrur me 6%. “E krahasuar me fitimin, nëse do të konsideronim një fitim neto prej 15-20%, praktikisht bizneset eksportuese kanë pësuar rënie prej afro 30-40% të fitimit. Humbja që na ka ardhur nga rënia e euros është dy ose tre herë më shumë sesa tatim fitimi që paguajmë”, deklaron Zusi.
