Aktuale
Zyrtare: Nuk ndryshon traseja e “Autostradës së Gjilanit”

Përfundimisht nuk do të ndryshohet traseja për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Gjilan, ani pse zëvendëskryeministri njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli thotë se nga kjo trase po u privohet qytetarëve të Anamoravës, shkruan Ndërtimi.info.
Ky kundërshtim i Pacollit bëri që të reagojë zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, duke thënë se ky variant i trasesë është më i mirë dhe më i lirë. Madje Kadriu ka theksuar se ky ishte edhe varianti i cili ishte tenderuar nga qeverisja e kaluar.
Megjithatë, ai tha se Anamorava nuk mund të sakrifikohet për interesa të dikujt dhe muhabeteve të bëra nëpër kafene.
“Dëshirat mund të jenë të tij për me ndryshu, por nuk ka kthim mbrapa në këtë proces. Nuk mundemi me u kthy në pikën zero, që Anamorava me u sakrifiku për interesa të dikujt”, tha ai.
Kadiru, tha se kanë bërë zgjidhjen më të mirë për këtë autostradë duke ruajtur edhe buxhetin e Kosovës.
“Kjo punë shyqyr zotit që po niset. Po niset e çka është më e mira po niset edhe me një kosto më të lirë. Ne e kemi shpëtuar buxhetin e Republikës së Kosovës nga një tender të cilin e kemi gjet nga ish qeverisja me tenderimin e fundit nga Ministria jonë del që ne e shpëtojmë buxhetin e Kosovës me 12 milionë euro”, ka thënë Kadriu.
Kadriu, para medieve edhe njëherë ka bërë të ditur se kah do t’i bie traseja e “Autostradës së Gjilanit”. Por, ai nuk bëri publike kontratat e operatorëve ekonomik, e që për këtë tha se duhet të bëhet kërkesë zyrtare.
“Kjo është trasea nga kufiri i Dheu i Bardhë. Ne jemi këtu në Bresalc, ky segment është tenderu me të kaltër. Lidhet në Autostradën “Arbën Xhaferi” R6, këtu lidhet te udhëkryqi te “Albi Mall”. Këtu është trasea. Sepse kanë qenë dy zgjidhje ideore për me shku në Zllatarë. Çka i duhet “Autostradës së Gjilanit” me u lidh me “Unazën e Jashtme” të Prishtinës kur akoma nuk kemi projekt për “Unazën e Jashtme” të qytetit të Prishtinës”, tregoi ai.
Sipas Kadriut, në 10 vjetët e ardhshëm nëpërmes Duhlës do të ketë lidhje me autostradën “Ibrahim Rugova”, si një prej arsyeve për zgjedhjen e kësaj traseje.
Kurse sa i përket kërkesës së 8 operatorëve ekonomik ku kanë kërkuar nga Gjykata Supreme që të anulohet dhënia e tenderit dhe se Ministria e Infrastrukturës ka përdorur standarde të dyfishta, Kadriu tha se çdo kush mund të bëjë ankesa dhe se nuk mund të plotësohen dëshirat e gjitha kompanive./Ndërtimi.info/
