Featured
Stadiumi i papërfunduar i Suharekës, ku luhet dhe bëhet tifo

Edhe pse në Suharekë luhet dhe bëhet tifo në stadiumin e qytetit, ai ende nuk ka përfunduar tërësisht.
Portali lokal, TherandaPost raporton që për këtë vit janë të ndara edhe 100 mijë euro që duhet të investohet në stadium.
“Faza e parë e projektit të Stadiumit të Qytetit në Suharekë me vlerë prej 344.211.95 ka përfunduar. Ky projekt është financuar së bashku me MKRS. Për vitin 2018 Ministria e Kulturës Rinisë dhe i Sporteve, ka ndarë buxhet në vlerë prej 100.000 euro”, thuhet nga zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Suharekë.
Florim Kryeziu nga KF “Ballkani” dhe po ashtu mbikqyrës i projektit, i caktuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe i Sporteve që nga 16 tetor 2017, ka thënë për TherandaPost se punimet sipas kontratës deri më tani kanë përfunduar, por thekson se punimet tjera shtesë ende nuk kanë përfunduar, ngase për pranimin në liga të tjera, duhet të plotësohen kushtet.
Asambleisti Leonard Shala ka kërkuar të bëhet publike kontrata e projektit me bashkëfinancim rreth investimeve në stadiumin e qytetit.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” se “na u premtuar se në mbledhjen e radhës të Asamblesë Komunale, Drejtori i DKRS-së do të vijë me një raport të detajuar rreth punimeve në projektin e stadiumit. Sot është mbledhja e Asamblesë Komunale dhe mbetet të shihet epilogu i këtij diskutimi”.
