Featured
Omonia kundërshton rrënimin e objekteve në Himarë

BDMEG Omonoia – Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, dega Himarë, ka reaguar ndaj aksionit për mënjanimin e objekteve në kuadër të zbatimit të projektit “Rikualifikimi Urban Spile Himarë”.
Në reagim thuhet:
Ditët e fundit në zonën e qendrës së Himarës (Spile), makineri të renda të firmës së ndërtimit “Gjikuria SH.P.K”, filluan të ndërhyjnë sërish në pronat e banorëve duke ua shkatërruar ato, në kuadër të zbatimit të projektit “Rikualifikimi Urban Spile Himarë”.
Projekti i sipërpërmendur është shpallur absolutisht i pavlefshëm me vendimin Nr. 1594 datë 06/12/2017 të Gjykatës Administrative të shkalles së parë Vlore, sikurse edhe të gjitha aktet që rrjedhin prej saj.
Gjykata Administrative Vlore me vendimin Nr. 2898/1, datë 23/09/2017 ka mare gjithashtu masën e sigurimit të padisë dhe pezullimin e aktit administrativ “Rikualifikim Urban Spile”.
Veprimet arbitrare të Bashkisë Himarë dhe Qeverisë dëshmojnë edhe njëherë funksionimin në mënyrë banditeske të administratës bashkiake dhe qeverisë që e mbështet, duke mos respektuar asnjë institucion shtetëror as gjykatat, as Avokatin e Popullit e aq më tepër të drejtat e njeriut, të drejtën e pronës etj.
Në të njëjtën kohe denoncojmë edhe bashkëpunimin e forcave të rendit në këto veprime antiligjore dhe abuzive në dëm të banorëve të komunitetit etnik grek të Himarës.
Banorët e Himarës do të vazhdojnë luftën ligjore kundër abuzuesve dhe shkelësve të ligjit dhe të Kushtetutës deri në ndëshkimin e tyre.
