Infrastrukturë
Sllovenët të interesuar për projekt ndërtimi në Malishevë

Kompania sllovene “Hidroinženiring”, duket të jetë më serioze në interesimin e saj për trajtimin e ujërave të zeza, përkatësisht për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, në Komunën e Malishevës.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie, kanë qëndruar sot në Malishevë, ku janë takuar me kryetarin Ragip Begaj dhe drejtorin e urbanizmit, Islam Vrenezi, me të cilët kanë biseduar për procedurat administrative për fillimin e realizimit të këtij projekti.
Përfaqësuesi i kompanisë “Hidroinženiring”, Davor Račič, tha se janë të gatshëm të sigurojnë fondet dhe të ndërtojnë impiantin, por paraprakisht duhet të përfundojnë disa procedura nga ana e organeve komunale dhe atyre qendrore, për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie e kanë vlerësuar lartë seriozitetin dhe përkushtimin e Komunës së Malishevës për ndërtimin e këtij impianti dhe zgjidhjen e problemit të trajtimit të ujërave të zeza.
Edhe kryetari Begaj, e ka ofruar përkrahjen e komunës në këtë drejtim, dhe është zotuar se do të bëjë gjithçka që është e mundshme, në mënyrë që të sigurojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në aspektin ligjor dhe procedural, si dhe të krijojë kushtet e nevojshme, që të realizohet ky projekt me rëndësi të madhe për Malishevën dhe zonën turistike.
Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, ka rëndësi të madhe, sidomos për mbrojtjen e natyrës dhe të lumit Mirusha, e me të edhe të zonës turistike të “Ujëvarave dhe kanionit të Mirushës”, që shtrihet përgjatë rrjedhës lumit dhe është zonë e mbrojtur, apo parkut nacional.
