Aktuale
Autostrada e Gjilanit po pritet t’ia fillojë, e shpronësimi s’është ende askund

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe zëvendësi i tij Rexhep Kadriu kanë folur sot para medieve ku me terma festiv treguan për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”.
Shkëndije Ahmeti
Ajo do kushtojë 88 milionë euro, do përfundojë për 30 muaj, do të ndërtohet nga 8 operatorë ekonomikë të ndarë në 8 lote dhe do ketë 4 korsi.
Por, punët nuk janë se të gjitha kanë përfunduar. Ministria s’ka gati elaboratin e shpronësimit dhe mund parashikohen problem.
“Nga praktika që unë i kam has këtu. Ta marrim autostradën për në Han të Elezit ku me të vërtetë diku 40 për qind nuk kanë qenë të shpronësuar. Ne në afat prej 3 muajve i kemi shpronësuar të gjitha pronat. Pse ka ndodhë kjo sepse komunikimi ynë me qytetarët ka qenë i qasshëm, i drejtpërdrejtë dhe nuk kemi pas që ne t’i mashtrojmë qytetarët. Dhe kështu do t’i qasemi edhe pronave që janë private dhe të jeni të bindur që nuk do të ketë pengesa dhe stërzgjatje të këtyre punimeve”, tha Lekaj.
Madje autostradës ende nuk i është vërë as emri, se si do të thirret. Ajo zgjatet në 22 kilometra dhe traseja do të jetë kjo:
“Kyçja në këtë autostradë do të jetë në Banullë, dalja nga autostrada “Arbën Xhaferi” do të jetë në Banullë. Do ta kemi një dalje në fshatin Verbicë të Zhegofcit pikërisht në Zhegofc dhe do ta kemi tjetrën ë fshatin Bresalc. Kjo do të jetë me një gjatësi 22.31 kilometra. Do ta kemi udhë me katër korsi, me një nga korsi ndihmëse dhe me shirit gjelbërues brenda saj.”, tha ai.
Në fund Lekaj ka siguruar që do të jenë gardianë gjatë ndërtimit, madje ai siguroi qytetarët e Gjilanit që “rruga do të jetë me standardet evropiane”.
