Aktuale
Hamza i përkushtuar të bëjë kalimin e mbledhjes së TVSH-së në brendi

Politikat fiskale, si të vetme, nuk janë të mjaftueshme për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve, ka thënë Ministri i Financave, Bedri Hamza. Sipas tij, ka nevojë edhe për sundim të rendit e ligjit dhe efikasitet më të madh në trajtimin e lëndëve në gjykata.
“Ka nevojë që investitorët të kenë siguri, të eliminohet burokracia, ka nevojë që vendi të sundohet nga rendi e ligji, të kemi sa më pak, mundësisht fare dukuri negative, përfshirë edhe korrupsionin”, ka deklaruar ai në konferencën me temë “Politikat fiskale në 10 vite: Mësimet për të ardhmen”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ai ka treguar se që nga fillimi i këtij viti janë në fuqi masat e lirimit nga tatimi për lëndë të para për prodhim, dhe se, sipas tij, ka mundësi që numri i këtyre produkteve të zgjerohet edhe më tej.
Hamza ka thënë se, nga ministria të cilën e drejton, tashmë janë finalizuar koncept-dokumenti për Ligjin për TVSH-në, Ligji për tatim-fitimin e të ardhurave në korporata, Ligji për tatim-fitim në të ardhura individuale, Ligji për Administratën Tatimore dhe Kodi i Doganave dhe akcizës.
Po ashtu, ka thënë se ministria të cilën e udhëheq është e përkushtuar që gjatë këtij viti ta bëjë kalimin e mbledhjes së TVSH-së në brendi.
“Është një proces jo i lehtë, mirëpo e kanë bërë vendet e tjera dhe mendoj që edhe ne suksesshëm mund ta bëjmë. Kjo kërkon të kemi plotësim-ndryshim të ligjit, të kemi ngritje dhe integrim të sistemeve të IT-së, e mbi të gjitha, përgatitje të kapaciteteve implementuese të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Kjo do të ndikojë pozitivisht te bizneset të cilat nuk do të jenë të detyruara që të paguajnë TVSH-në me rastin e arritjes së mallit në kufi, mirëpo do ta paguajnë në brendi”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, ish-ministri i Financave dhe tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka renditur disa prej sfidave me të cilat Kosova përballet në arritjen e stabilitetit buxhetor e mikro-financiar. Sipas tij, një nga sfidat kryesore është zvogëlimi i ekonomisë joformale. Sfidë tjetër, sipas tij është edhe evitimi i shpenzimeve qeveritare të motivuara politikisht, përfshirë vendimet që lidhen me politikat sociale dhe pensionale.
“Ajo çfarë do të jetë sfidë për zhvillimin afatgjatë është presioni që vjen nga politikat sociale dhe pensionale. Nëse dikush e rrezikon stabilitetin e buxhetit në 5-6 vitet e ardhshme, janë politikat sociale dhe pensionale që në shumë situata për motive populliste po ndërmerren dhe po na nxjerrin nga stabiliteti afatgjatë”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, ish-ministrja e Tregtisë dhe deputetja Mimoza Kusari Lila, ka thënë se ekonomia kosovare është ballafaquar që në start me pabarazi, së pari nga efektet e luftës dhe degradimit të ekonomisë, e pastaj nga pabarazia me vendet e rajonit. Kulminacioni i kësaj pabarazie, sipas saj, është hyrja e pakushtëzuar në Marrëveshjen e Cefta-s.
“Në korrik të vitit 2007 më nënshkrimin e marrëveshjes së CEFTA-s si ende territor nën administrimin e UNMIK-ut, ka shkaktuar pasoja që edhe sot e kësaj dite bizneset i ndjejnë. Prodhuesit kosovarë ballafaqoheshin me disavantazh prej gati 26 për qind në start kosto më të lartë në raport me prodhuesit e rajonit”, ka shtuar ajo.
Ajo ka përmendur edhe moskrijimin e zonave të lira ekonomike, që sipas saj është një shans i humbur për zhvillimin ekonomik të vendit.
