Aktuale
Serbia do të kufizojë shitjen e tokës bujqësore tek te huajt
Ministria e Bujqësisë e Serbisë ka në plan të nxjerrë projektligjet dhe shtojcat për Ligjin mbi Tokën Bujqësore, me qëllim kufizimin e shitjes së saj tek të huajt dhe do ta miratojë këtë përpara 1 shtatorit, periudhë kohore kur tregu do të liberalizohet, shkruan EURACTIV.rs
Teksa ministri serb ka njoftuar për zhvillimin e një debati publik mbi ndryshimet në ligjin e diskutueshëm, ekonomistët bujqësorë po bëjnë thirrje për shtyrjen dhe kufizimin e shitjes së tokës së punueshme te blerësit e huaj, ndërsa zyrtarët evropianë shprehen se serbët nuk duhet t’i druhen procesit të shitjes së tokës tek të huajt.
Serbia është i vetmi vend që ka marrë përsipër liberalizimin e tregut të tokës bujqësore dhe dhënien e saj për të huajt, përpara se të hyjë në Bashkimin Europian. Vendet e tjera e kishin këtë detyrim pas hyrjes së tyre në BE, madje disa prej tyre kishin një periudhë “të mirë” tranzicioni prej disa vitesh. Kroacia, për shembull, arriti të marrë 7, ndërsa Polonia deri në 12 vjet.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë parashikon që Serbia, brenda katër vjetëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, t’u mundësojë qytetarëve të BE-së të marrin të drejtën e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, duke përfshirë edhe tokën bujqësore. Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi brenda shtatorit të këtij viti, gjë kjo që nënkupton se Serbia duhet ta liberalizojë tregun e saj që këtë vit, pra që në 2017.
Sipas ministrit të Bujqësisë, Branislav Nedimoviq, projektligjet dhe shtojcat e Ligjit për Tokën Bujqësore do të bëhen brenda korrikut, kohë brenda së cilës do të zhvillohen edhe debatet politike mbi këtë temë dhe më pas do të dërgohen për miratim në Parlament.
Kjo është e vetmja mënyrë për ta shtyrë sa më shumë procesin, sepse 1 shtatori është shumë pranë.
Ne do ta zgjidhim këtë çështje dhe nuk do të ketë probleme, tha Nedimoviq, i cili nënvizoi se edhe Kryeministrja Ana Brnabiq, në programin dhe objektivat e kabinetit të saj në Parlament, tha se këto ndryshime do të ishin një ndër detyrat parësore të qeverisë.
Megjithatë, projektligjet janë ende duke u punuar dhe sipas burimeve jozyrtare, të huajve do t’u krijohet mundësia për të blerë tokë të punueshme, pasi të vërtetojnë se kanë jetuar shtatë vjet në Serbi, ndërsa për sa u përket enteve ligjore dhe kompanive të sapoformuara duhet që para blerjes, të jenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Serbisë për një periudhë pesëvjeçare.
Ekonomistët, kundër shitjes
Sipas ekonomistëve, shitja e tokave bujqësore serbe tek të huajt duhet të vonohet dhe të kufizohet dhe gjithashtu duhet të përgatitet edhe një referendum për të përcaktuar nëse qytetarët e përkrahin plotësisht një ndalim të tillë.
“BE-ja nuk do të heqë dorë nga mundësia për të kërkuar përfitime maksimale për të huajt që kërkojnë të blejnë tokë bujqësore në Serbi”, u shpreh ekonomisti i bujqësisë dhe deputeti Miladin Shevarliq për Betan.
Shevarliq tha më tej se ligji i ri mbi tokën bujqësore, që do t’u lejonte të huajve të blinin tokë të punueshme, ishte absurd dhe se Serbia nuk duhet të bëjë lëshime për BE-në, përpara se të fillonte të përdorte para nga fondet IPARD dhe t’i lejonte të huajt të blinin tokë të punueshme në Serbi.
Sipas tij, jo vetëm që Serbia nuk është anëtarësuar në BE, por as nuk dihet nëse dhe kur do të bëhet anëtare e këtij bashkimi, kështu që marrëdhënia me BE-në mund të konsiderohet si neokolonializëm.
Shevarliq shtoi se regjimi aktual nuk duhet fajësuar për nënshkrimin e MSA-së me BE-në, sipas së cilës Serbia do të lejojë shtetasit e huaj të blejnë tokë të punueshme, por është fajtore për moskryerjen e asnjë ndryshimi gjatë pesë viteve të fundit.
“Nëse është e vërtetë që një kompani duhet të regjistrohet në Serbi pesë vjet përpara blerjes së tokës, atëherë përse i kanë lejuar kompanive bija të regjistrua në më pak kohë të blejnë tokë të punueshme në Serbi për vetëm 500 euro?”, pyeti Shevarliq.
Ekonomisti i fushës së bujqësisë, Milan Prostran, tha se ai e dinte se dy ish-ministrat e Bujqësisë kishin tentuar të ndryshonin MSA-në, por nuk ia arritën, ndërsa “autoritetet janë treguar shumë kokëfortë në vitet e fundit dhe nuk u kanë kushtuar aspak rëndësi paralajmërimeve të ekspertëve”.
“Toka e punueshme duhet të mbrohet sa më shumë që të jetë e mundur dhe parakushti (nëse dikush dëshiron të blejë tokë në Serbi duhet që ai të ketë jetuar në këtë vend për 10 vjet dhe se nuk mund të blejë më shumë se 100 hektarë) ka funksionuar më së miri në fushën e bujqësisë, sepse shitja e tokës së punueshme të një vendi është sikur të heqësh dorë nga sovraniteti”, tha Prostran.
Ai shtoi se Serbia duhet të thërrasë një referendum si Hungaria dhe të ndalojë plotësisht shitjen e tokës bujqësore.
Nuk ka pse të alarmoheni
Komisioneri Europian për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Phil Hogan është shprehur se shitja e tokës bujqësore është një çështje delikate, por shtoi se nuk duhet “të ekzistojë frika pa arsye”, sepse MSA-ja nuk është se po i lejon qytetarët e BE-së të blejnë tokë të punueshme në Serbi pa kurrfarë kufizimi.
Sipas MSA-së, që nga 1 shtatori i këtij viti, nuk do të ketë diskriminim midis qytetarëve të Serbisë dhe atyre të BE-së në lidhje me blerjen e pasurive të paluajtshme, duke përfshirë edhe tokën bujqësore, dhe qeveria serbe ka ende kohë për të rregulluar kushtet e blerjes së tokës, tha më tej Hogan.
Ai rikujtoi se, pas raundeve të mëparshme të zgjerimit të BE-së, liberalizimi progresiv i blerjes së tokës nuk kishte çuar në marrjen ose blerjen e tokës së punueshme në shtetet e reja anëtare nga të huajt në një masë të konsiderueshme.
Në fakt, qytetarët ose kompanitë e BE-së mund të blejnë tokë në Serbi nëpërmjet një kompanie të regjistruar në këtë shtet dhe deri më tani, kjo gjë ka ndodhur në masë të kufizuar, tha Hogan bazuar në raportimet nga Agro Smart.
Hogan tha se investimet e huaja nuk duhet të shihen me dyshim, sepse mund të sjellin teknologji dhe njohuri të reja dhe të ndihmojnë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit të bujqësisë në Serbi. Ai shtoi se për këtë arsye, nuk besonte se ishte e nevojshme të shqyrtohej ndryshimi i kushteve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
You must be logged in to post a comment Login