Aktuale
Moszbatimi i Ligjit për Investime Strategjike mban të bllokuara disa prona e asete

Sot bëhet një vit prej se Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër Ligjit për Investimet Strategjike. Nga ajo kohë nuk është bërë as lëvizja më e vogël.
Ky ligj u vlerësua si mundësi që Kosovës t’i kthehej interesimi nga investitorët e jashtëm, të cilat vetëm po bien.
Madje, kundër këtij ligji fuqishëm lobuan deputetët e Listës Serbe, por e humbën rastin në Kushtetuese.
Qeveria e kaluar kishte bërë një listë të aseteve, të cilat do t’ua jepte investitorëve, por asgjë deri më tani nuk ka lëvizur.
Në bllokadë ka mbetur edhe Hoteli Grand.
Ky hotel është në mesin e aseteve që qeveria i ka vendosur në listë, por Agjencia Kosovare e Privatizimit, që e ka nën menaxhim, vazhdon të presë një lëvizje nga ekzekutivi.
Drejtori i saj thotë se ka interesim për disa prej aseteve.
Hajdari thotë se pret që qeveria sa më shpejtë të marrë një vendim për këto asete.
Shumë skeptik për një të ardhme me këtë ligj janë përfaqësuesit e bizneseve.
Duke u bazuar edhe në raportin e fundit të BE-së, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova është larg të qenit vend adekuat për investime.
Zyrtarët qeveritarë kanë përmendur edhe futjen e Brezovicës në nxitjen e investimeve tek ky aset përmes këtij ligji, pasi me mënyrat tjera dështoi të realizohej, por as në këtë projekt nuk lëvizën gjërat.
Kohavisioni ka kërkuar një përgjigje nga qeveria në lidhje me funksionalizimin e këtij ligji, por askush nga ekzekutivi nuk ka dhënë ndonjë sqarim.
Ligji për Investimet Strategjike ka paraparë disa sektorë, ku do të mund të bëhen investimet dhe që koha për realizimin e tyre do të bëhej më së paku brenda 5 vjetësh.
