Aktuale
Kompleksi rezidencial mund të bëhet në “Prishtina e re”, nëse e bën Pacolli ka konflikt interesi

Në darkën e udhëheqësve shtetërorë në vilën luksoze të zëvendëskryeministrit Pacolli, u hodh në dritë ndërtimi i kompleksit rezidencial.
Nikoqiri i kësaj darke, Behgjet Pacolli, në praninë e presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, u shpreh i gatshëm që me kompaninë e tij “Mabetex Group” të ndërtojë këtë kompleks, pavarësisht se kjo paraqet konflikt interesi.
Nenet 6,7,8 dhe 9 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit saktësojnë konfliktin e interesit të zyrtarit publik.
Neni 9, paragrafi 1.4 thekson se zyrtari i lartë ndalohet të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal apo personit në lidhje me të.
Si dhe në paragrafin 1.6, zyrtarit të lartë i ndalohet të ndikojë në marrje dhe dhënie të punëve apo furnizimeve publike për përfitime personale.
Gatishmëria e zëvendëskryeministrit Pacolli për të ndërtuar kompleksin rezidencial është në kundërshtim me këtë ligj.
Në këtë zonë prej 20 hektarësh, në lagjen Prishtina e Re, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, është vendosur të ndërtohet kompleksi rezidencial. Sipas Ministrisë së Administratës Publike, kjo parcelë është pronë shtetërore dhe nuk do të ketë nevojë për shpronësim.
Afër vendit ku pritet të ndërtohet kompleksi rezidencial, është duke u ndërtuar Instituti i Kosovës për Administratë Publike.
“Përveç ndërtesës së Institutit të Kosovës për Administratë Publike, e cila është në ndërtim, për ndërtesat tjera projektet janë në proces të hartimit dhe tash për tash nuk bëhet fjalë për fillimin e ndërtimeve. Në atë zonë prej 20 hektarësh, nuk ka nevojë të ketë shpronësime sepse ato parcela janë pronë shtetërore. Sipas parashikimeve, me të filluar punimet, ndërtimet pritet të zgjasin 3 deri në 4 vjet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Administratës Publike.
KohaVisioni ka kërkuar nga Zyra e Presidentit një qëndrim për propozimin e Thaçit për ndërtimin e kompleksit rezidencial, por nuk ka marrë përgjigje.
Ide të ngjashme për ndërtimin e rezidencës kishte edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova. Ai kishte propozuar ndërtimin e një Shtëpie të Bardhë Presidenciale.
Propozim thuajse të ngjashëm me presidentin Thaçi kishte dhënë edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu.
Ndërkohë, në vitin 2005, në kohën kur kryetar i Kuvendit ishte Nexhat Daci, kishte nisur së ndërtuari Qendra Protokollare në Gërmi.
Ky objekt, që nuk përfundoi kurrë, tash e disa vjet ka mbetur në këtë gjendje.
