Aktuale
Kamenica dhe Novobërda kërkojnë investime nga niveli qendror

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një bisedë me KD-në vlerëson se Komuna të cilën ai drejton mbetet një ndër komunat më të varfra të Kosovës.
Thekson se Qeveria e Kosovës duhet të alokojë buxhetin në mënyrë të barabartë si për komunat e tjera, ngase ai vlerëson se në këtë pikë ka pasur diskriminime nga niveli qendror, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ai shprehet se është i brengosur edhe me gjendjen sociale nëpër të cilën po kalojnë banorët e kësaj komune, ku niveli i papunësisë është shumë i lartë dhe që ka ndikuar në shpërnguljen e banorëve në drejtim të komunave të tjera, të cilat janë më të zhvilluara sesa Komuna e Kamenicës.
Sipas tij, Kamenica humb 248 banorë çdo vit si pasojë e shpërnguljes, e cila ndikon në tkurrjen e popullsisë në bazë të vlerësimeve që janë bërë. Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ndihmojë këtë komunë në kapërcimin e gjendjes në të cilën gjendet.
“Janë jashtëzakonisht shqetësuese shpërnguljet, dhe nëse vazhdon ky trend nuk do të shkojë shumë gjatë dhe nuk do të mbetet askush në Komunën e Kamenicës. Si komunë duhet të nisim kërkesa, sepse Kamenica është komuna më e varfër dhe duhet të kërkojmë prej nivelit qendror të paktën me na trajtue njësoj si komunat e tjera sa është përqindja e popullatës së Kosovës, ashtu njëjtë duhet të jetë përqindja e investimeve, sidomos kur dihet se është më e varfër atëherë duhet një ndihmë më e madhe. Mirëpo, ne do të mundohemi të bëjmë detyrat tona që janë kompetencë jona shembull do të ofrojmë pronën komunale të japim në shfrytëzim jo kush paguan qira ma shumë, por kush hap vende të reja të punës ma shumë”, ka thënë Kastrati.
