Featured
Paralajmërohet rrënimi i ndërtimeve me tejkalime në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se nuk do të ketë tolerancë për shkeljet e normave ndërtimore në këtë qytet.
Teksa ka raportuar për intervenimet e fundit të Inspektoratit në Qendrën Historike dhe zonën urbane të Prizrenit, ai ka shprehur qëndrimin se praktika e mosrespektimit të lejeve ndërtimore duhet t’i takojë së kaluarës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të njëjtën kohë ka paralajmëruar gjobitjen e investitorëve dhe rrënimin e tejkalimeve.
Kryetari Haskuka përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se gjatë javës së shkuar për shkak të tejkalimit të lejeve, “Drejtoria e Inspektoratit ka ndërprerë punimet në 3 lokacione ndërtimi në Zonën Historike të qytetit dhe 1 tejkalim në zonën urbane”.
“Mosrespektimi i lejeve ndërtimore duhet t’i takojë kohës së kaluar. Në të ardhmen të gjitha objektet me tejkalime do të rrënohen, ndërsa personat përgjegjës do të dënohen, duke marrë përsipër shpenzimet e rrënimit”, ka shkruar Haskuka.
