Ndërtim
Si ndahen shtëpitë dhe qiratë në Shqipëri

Komisioni Parlamentar i Çështjeve Sociale ka nisur shqyrtimin e projektligjit të ri të qeverisë, për “Strehimin social”.
Me nismën e re të qeverisë, janë 14 kategori të listuara si prioritare, që do të përfitojnë nga programi i “Strehimit social”, duke marrë banesa apo bonos qiraje, shkruan “Panorama”.
Qeveria ka rishkruar ligjin e strehimit social, sipas të cilit qytetarët pa të ardhura, apo me të ardhura shumë të ulëta, mund të aplikojnë për të përfituar në programin social të strehimit. Qytetarët që janë në kushte të vështira ekonomike do të mund të aplikojnë pranë njësive vendore, si individ apo si familje. Për secilin individ apo familje do të hartohet një dosje, në bazë të së cilës do të behët sistemi i pikëzimit.
Por, sipas projektligjit, me përparësi do të trajtohen kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, individët që kanë statusin e jetimit, që kanë dalë nga qendrat e përkujdesjes së shoqërisë deri në moshën 30 vjeç. Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer në Shqipëri apo edhe ata që kanë aplikuar si azilkërkues.
Po ashtu, kategori që do të trajtohen me prioritet, do të jenë familjet e policëve të rënë në detyrë, familjet e reparteve të FNSH-së dhe RENEAS. Gjithashtu, në projektligj janë vendosur si prioritet për trajtim të banesave të strehimit apo bonuseve të qirave, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme të trafikimit, anëtarët e komunitetit rom apo egjiptian. Po kështu dhe nënat vajza. Projektligji ri trajton me precedencë dhe kërkesat e komunitetit gay, lesbike, biseksuale, transgjinorëve (LGBT).
DEBATI
Anëtarët e opozitës në Komisionin e Çështjeve Sociale kanë kërkuar që të shtohen dhe kategori të tjera, që të trajtohen me përparësi. Kreu i Komisionit të Çështjeve Sociale, Petrit Vasili, kërkoi që në programin e strehimit të trajtohen dhe zjarrfikësit, naftëtarët dhe minatorët.
Por, nëndrejtoresha e Entit të Banesave, ish-deputetja e PS-së, Rajmonda Stefa, tha se këto kategori nuk mund të jenë përfituese. “Te neni 15 ju thoni që pse nuk përfshihen minatorët dhe naftëtarët, besoj që në nenin 15 nuk bëhet fjalë për personat që janë gjallë, përfitojnë ish-policët që kanë rënë në krye të detyrës, jo ata që janë në detyrë. Zjarrfikësi është në marrëdhënie pune dhe minatori dhe naftëtari kanë të ardhura reale, të cilët mund ta përballojë vlerën e banesës”, tha Stefa. Por debati në komision ka vijuar për përfshirjen e komunitetit LGBT.
Vasili tha se në projektligj duhet të specifikohet që të trajtohen me përparësi anëtarët e komunitetit LGBT, që janë në vështirësi ekonomike. “Ky komuniteti LGBT, pse nuk specifikohet për vështirësitë përkatëse sepse mund të jenë një pjesë e komunitetit që rron mirë, pse duhet të jenë në këtë ligj. Nuk është orientimi seksual që të bëhen pjesë e kategorisë, por është vështirësia sociale që ke.. Qëllimi është i mirë, por nuk e keni specifikuar. Anëtarët e komunitetit LGBT, që janë në kushtet e varfërisë etj., etj.”, ka thënë Vasili.
Ndërkohë që deputetja e PD, Orjola Papuri, kërkoi që të trajtohen dhe ish-të përndjekurit politikë, por nëndrejtoresha e Entit të Banesave tha se ajo kategori nuk përfiton. “Ish-të përndjekurit marrin tjetër gjë, marrin dëmshpërblimin dhe kanë përfituar banesa nga Enti i Kombëtar i Banesave”, tha Rajmonda Stefa.
Dosjet e aplikantëve, ja dokumentet që duhen plotësuar
Shpenzimet për plotësimin e dosjeve do të mbulohen nga zyrat e qeverisjes vendore. Individët apo familjarët që do duhet të aplikojnë për programin e strehimit social, do të duhet të dorë- zojnë 9 dokumente për të plotësuar dosjen e aplikimi. Në dosje do të nevojitet certifikata familjarë, fotokopja e kartës së identitetit, vërtetim që je banor i lagjes ku aplikon për strehim.
Individi do duhet të dorëzojë një vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që nuk zotëron biznes, po ashtu vërtetim nga ZRPP, që nuk ka në pronësi banesa të tjera edhe në emër të familjarëve. Vërtetim të ardhurash bruto dhe neto, të shoqëruara më vërtetimin që janë derdhur sigurimet shoqërore, kjo nëse aplikanti ka punuar në shtet. Pjesë e dosjes duhet të jetë dhe kartela, që aplikanti është punëkërkues.
Gjithashtu, duhet të dorëzojë dhe një vërtetim të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që vërteton origjinën e pasurisë për të gjithë anëtarët madhorë të familjes. Po ashtu, kërkohet të dorëzohet dhe kontrata e qirasë.
PROJEKTLIGJI I RI
Neni 13
Rregulla të përgjithshme për aplikimin në programet sociale të strehimit
- Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit.
- Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë.
- Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 14
Rregulla të përgjithshme të përzgjedhjes
- Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi.
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit.
- Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese, me anë të sistemit të pikëzimit, përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi
Neni 15
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:
- a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
- nuk disponojnë banesë në pronësi;
- banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
iii. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
- kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
- familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
- b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
- familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna;
- të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
iii. familjet me më shumë se katër fëmijë;
- bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
- c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi: i. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
- individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;
iii. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;
- emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;
- familjet e policëve të rënë në detyrë; vi. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);
vii. punonjësit e repartit RENEA;
viii. viktimat e dhunës në familje;
- viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
- anëtarët e komunitetit rom;
- anëtarë të komunitetit egjiptian;
xii. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;
xiii. vajzat nëna;
xiv. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.
ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.
