Aktuale
Shkon në Polici çështja e largimit të obeliskut “NEWBORN”

Njëri prej monumenteve kryesore të Prishtinës, ai i Newborn-it që ndodhet te Pallati i Rinisë, u largua nga vendi i tij, gjatë ditës së djeshme. Këtë e bëri të ditur ideatori i tij, njëherësh edhe deputet i VV-së, Fisnik Ismaili. Ismaili njoftoi përmes FB-së se Neëborn-i po largohet për t’u pastruar. Por, Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, rastin e ka paraqitur në polici pasi Ismaili nuk ka marrë leje për këtë veprim
Drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Ardiana Qorraj, tha për Express se zhvendosja e obeliskut “Newborn” është paraqitur në polici pasi nuk dihet vendndodhja e tij. Dhe se për këtë zhvendosje Fisnik Ismaili nuk ka marrë leje nga instituti që e mbron obeliskun.
“Megjithëse ideatori i obeliskut “Newborn” nuk e ka paraqitur një kërkesë me shkrim qysh e ka bërë në vitet e kaluara, prej vitit 2015 që kur është monument i kulturës, atëherë është zhvendosur pa marrë leje dhe e kemi paraqitur rastin në polici, për shkak se nuk e dimë ku është”, tha Qorraj për Gazetën Express.
“Me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore ndalohet zhvendosja e tij pa aprovimin e institucioneve”, tha Qorraj.
Pasi ky rast është paraqitur në Polici, Fisnik Ismaili ka kontaktuar drejtoreshën Ardiana Qorraj, duke thënë se nuk ka mundur të marrë leje për zhvendosjen e monumentit pasi që ka qenë me grip.
“Ma vonë pasi e kam paraqit rastin në polici, Fisnik Ismajli më ka thirrë në telefon, të paktën është paraqitur si ai, për shkak se nuk e kam numrin e tij. Ka thënë që e ka marrë monumentin e vet, nuk e ka tregu vendndodhjen e monumentit, largimi i monumentit bie ndesh me ligjin”, tha tutje Qorraj për Express.
“E kam pasur një ide, kam dashtë me realizu, kam qenë me grip nuk kam mujt me paraqit fizikisht”, ka qenë arsyetimi i Ismailit pasi ka larguar “Newborn”-in pa marrë leje.
Mësohet se Ismaili kërkesën për ngjyrosjen e “Newborn”-it gjatë viteve të kaluara nuk e ka paraqitur fizikisht, por e ka dërguar në mënyrë elektronike.
Sidoqoftë, Ismaili gjatë ditës së djeshme ka njoftuar në FB se “Newborn”-i po largohet për t’u gërryer nga ngjyrat dhe se ditëve në vijim do të kthehet me pamje të re.
“NEËBORN sivjet po e merr trajtimin që e ka meritue edhe e ka pritë tash 10 vjet. Po e çojmë me i gërrye ngjyrat, ndryshkun edhe papastërtinë që e ka mbledhë ndër vite. Kthehet qeto ditë edhe më i bukur, me pamje të re, që tashmë është bë traditë”, ka shkruar Ismaili në FB, transmeton Express.
Obelisku i Pavarësisë, si më i vizituari në Kosovë, çdo vit ndryshon pamje për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët vendas e të huaj. Ndryshe, “Newborn” cilësohet si simbol i pavarësisë së Kosovës.
