Aktuale
Pallati i Rinisë po degradon, e dyqanet po zhvlerësohen

Për të dytën herë ka dështuar që të hedhet në votim propozim-vendimi i qeverisë për Pallatin e Rinisë, që ajo të kthehet në pronësi të Komunës së Prishtinës.
Ku për këtë ka reaguar, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu i cili njëherit është edhe anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Ai ka thënë se Pallati i Rinisë tash e 18 vite po keqmenaxhohet dhe se infrastruktura sportive e kulturore po degradon.
Sejdiu mes tjerash ka shkruar se duke e shndërruar atë në Ndërmarrje Publike Komunale sipas propozimit të Qeverisë, Komuna e Prishtinës mund të sigurojë donacione për të bërë renovimin e tërësishëm të këtij pallati.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Është hera e dytë gjatë kësaj jave që Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik nuk e hedh në votim propozim-vendimin e qeverisë, sipas kërkesës së komunës së Prishtinës, për bartjen e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës së Prishtinës!
Tash e 18 vite ky pallat, i ndërtuar me kontributin e qytetarëve të Prishtinës dhe komunave përreth, po keqmenaxhohet. Infrastruktura sportive e kulturore po degradon, ndërsa pjesa komerciale po zhvlerësohet!
Duke definuar pronësinë, pra duke e shndërruar në Ndërmarrje Publike Komunale sipas propozimit të qeverisë, Komuna e Prishtinës mund të sigurojë donacione për të bërë renovimin e tërësishëm të këtij pallati!
Është e papranueshme zhagitja e këtij vendimi, sidomos tani pasi egziston vullneti dhe vendimi i qeverisë dhe Komunës së Prishtinës!
Pallati është i Prishtinës!
