Aktuale
Ende askush s’flet qartë për vdekjen e punëtorit në Gjilan

Nga Ferizaj shkoi në Gjilan për të bërë punën e tij, shkarkimin e materialit ndërtimor. Por 61 vjeçari derisa po tentonte të zbrazte materialin në kamionin që ngiste, ra në kontakt me rrymën ku ndërroi edhe jetë.
Shkëndije Ahmeti
Ende nuk dihen rrethanat të cilat quan deri të vdekja e punëtorit të kompanisë “Fitorja”, raporton Ndërtimi.info
Institucionet kompetente i kanë thënë Ndërtimi.info se rasti është duke u hetuar, dhe që në ditët në vijim do bëhet raport i detajuar në të cilin do të qartësohen rrethanat që quan deri në vdekjen e punëtorit.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i tha Ndërtimi.info se tani nuk mund të dihet se ku është përgjegjësia, por që hetimet të cilat janë duke u bërë do të tregon se a ka pas mbrojtje të mjaftueshme dhe se a ka qenë KEDS i njoftuar për telat të cilët u bënë edhe shkak i vdekjes së punëtorit.
“Besohet se ai në punë e sipër duke shkarkuar material ndërtimor ka rënë në kontakt me telat e rrymës elektrike dhe si pasojë ka humbur jetën. Ka qenë 61 vjeç. Rasti është cilësuar nga Prokurori i Shtetit si vdekje aksidentale. E vërteta është se hetimet rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë për të parë të gjitha rrethanat që kanë quar deri te vdekja e punëtorit. Për momentin unë nuk mund të them saktë se ku është përgjegjësia, por sigurisht hetimet do të tregojnë a ka pas mbrojtje të mjaftueshme a ka qenë KEDS i njoftuar për telat që kanë bërë pengesë. Gjitha rrethanat kanë me u hetu në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës sigurish ka me dalë me një raport” tha Hashani.
As Inspektorati i Punës nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhë rasti. Por, Basri Ibrahimi thotë se në bazë të informacioneve të para punëtori ka qenë shofer i kamionit.
“Nuk mund të jap informatën e detajuar sepse inspektori ka qenë në teren, i ka marrë shënimet mirëpo ende nuk ka sjellë raport zyrtarë. Kështu që në detale nuk mund të flasim se cilat kanë qenë të gjeturat në bazë të inspektimit të inspektorëve. Ajo çfarë mund të thuhet është se punëtori, vozitësi i kamionit gjatë shprazjes së metaleve ka ardh në kontakt me rrymën, si duket tensioni i lartë ka qenë dhe ajo ka përfunduar me fatalitet. Sipas informatave të para që kam ai ka qenë vozitës”, tha Ibrahimi për Ndërtimi.info.
Gjithashtu ai tha se nuk mund të deklarohen se a janë marrë apo nuk janë marrë masa për sigurinë e punëtorit.
“Derisa nuk kam raport përfundimtar nuk mund të deklarojë ka qenë ky shakatarë apo ai shkaktar. Teknika apo ajo makineri, kamioni ai krani që i zbret hekurin, materialin që ka qenë ka ardh deri në kontakt me rrymën. Dhe tash a ka qenë i siguruar, a nuk ka qenë i siguruar janë ndërmarr masat, u janë ndërmarr masat ende nuk e kam informatën e plotë. Sepse nuk është bërë raporti përfundimtarë ne mund të ua sjellim se cilat kanë qenë konstatimet e inspektorit”, tha Ibrahimi.
Edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se nuk mund të jepen opinione të cilat nuk janë të vërtetuara se si ka ardh deri te vdekja e punëtorit.
“Mënyrën më detalizuar është inspektorati me dhënë informata edhe juve edhe neve. Meqë ne nuk kemi qenë në momentin e caktuar, ne do të merremi me informata që na dhënë anëtarët tonë të sindikatës nga tereni. Kjo është ajo për të cilën ndodhë nganjëherë të mos jetë serioze ato të dhëna, ne nuk guxojmë me dhënë asgjë më shumë se si ka ardh sepse ka lloj-lloj idesh por nuk guxojmë të japim kësi opinione në këtë raste dhe ne të shkaktojmë lëndime te familjet”, tha Azemi.
Ndryshe, viti që lamë pas ka qenë tragjik për shumë jetë të punëtorëve të fushës së ndërtimit. Vit të rëndë po e quan edhe vetë Kryeinspektorit i Punës, Basri Ibrahimi.
“Viti që lamë pas ka qenë tragjik, dhe ne kemi marrë të gjitha masat. Ne në vitin e kaluar kemi shqiptuar 232 gjoba, 100 gjoba më shumë se vitin 2016-të. Sepse fillim viti i 2017-ës ka qenë më i rëndë dhe ne për atë e kemi ashpërsuar masat. Një gjë po ua jap që një rregullore të cilën ne e kemi aprovuar për skele do të fillojmë me këtë dhe prej fillimit do të kujdesemi që asnjë vend punishte mos të shkoj mbi katin e parë pa skelet përreth”, tha ai.
Gjithashtu ka treguar se gjatë këtij viti do të ketë inspektime të pandërprera në ndërtimtari. Ndërsa kontakti me kompaninë “Fitorja” ku M.K ishte punëtor ka qenë i pamundur.
