Aktuale
Triana jep 120 banesa për familje të pastreha

Problemi i strehimit për rreth 120 familje në nevojë, të prekura kryesisht nga zbatimi i projektit të rehabilitimit të Lumit Tirana dhe familje të tjera të komunitet rom do të marrë zgjidhje.
Këshilli Bashkiak do të miratojë sot projektvendimin për dhënien në huamarrje pa pagesë të 120 strukturave të reja banimi për këto familje, duke i dhënë fund një problemi të mprehtë social dhe të mbartur prej vitesh në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për dy projektvendime të posaçme që trajtojnë dy problematika të ndryshme.
Projektvendimi i parë trajton familjet e komunitetit rom në Shkoze dhe që përfitojnë nga zbatimi i projektit “New House — New Life: Rehabilitation of Roma Community Settlement”. Falë këtij projekti në territorin e quajtur si “Ish Kombinati i Autotraktoreve”, Shkozë janë instaluar 60 struktura banimi një katëshe dhe me sipërfaqe afërsisht 35 m2, por e variueshme në përputhshmëri me numrin e anëtarëve të familjeve dhe në përputhje me të gjitha standardet e nevojshme për jetesë të përshtatshme dhe komoditet të veprimtarisë sociale për këto familje.
Ndërsa projektvendimi i dytë trajton një tjetër problematikë të krijuar si rrjedhojë e zbatimit të projektit të rehabilitimit të Lumit Tirana. Edhe me këtë projekt përfitojnë rreth 60 familje të tjera, kryesisht rome dhe egjiptiane dhe që kishin ndërtuar baraket e tyre në këtë zonë dhe që zhvendosja e tyre ishte bërë e domosdoshme për zbatimin e këtij projekti.
Në rastin e familjeve të prekura nga projekti i rehabilitimit i Lumit të Tiranës, zgjidhja u gjet me fondet e Bashkisë Tiranë duke ndërtuar godina banimi në territorin e ish-repartit ushtarak nr. 8837, Shkozë, për një komunitet prej 60 familjesh.
Të dyja këto projektvendime përveçse krijojnë mundësinë që rreth 120 familje të kenë banesat e tyre, krijon gjithashtu kushtet që këto komunitete të integrohen në jetën sociale dhe arsimore. Kjo pasi që këto familje të nënshkruajnë kontratën e huamarrjes së këtyre banesave duhet të marrin përsipër dhe një sërë detyrimesh që kanë të bëjnë me regjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile, arsimimin dhe kontrollin mjekësor të tyre.
