Aktuale
Deputeti kosovar propozon të blihen ‘drunj të mençur’ për të përmirësuar cilësinë e ajrit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Sejdiu ka paralajmëruar një propozim interesant për të parandaluar ndotjen e mëtejme të ajrit në Prishtinë dhe në komunat përreth.
Sejdiu përmes Facebook-ut ka njoftuar se nesër në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës që të blejë drunj të mençur, përcjellë AktivPress.
Sipas tij, këta drunj do të duhej të vendoseshin në Prishtinë, Kastriot (Obiliq), Fushë Kosovë dhe Podujevë.
“Nesër në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës do t’i propozojë qeverisë së Kosovës që për qytetet e Prishtinës, Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Podujevës të bëhet blerja e këtyre drunjëve të menqur me procedura të përshpejtuara të prokurimit!”, ka shkruar Sejdiu.
Deputeti beson se kjo ide do të kontribuojë sado pak për pastrimin e ajrit.
“Ndonëse, zgjidhja afatgjate e problemit të ndotjes ndërlidhet me shumë faktorë, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e qymyrit për energji elektrike, kontrollin e cilësisë së naftës, si dhe gjendjen e rëndë sociale e që i shtynë qytetarët të përdorin qymyrin për ngrohje në shtëpitë e tyre, intervenimet si kjo që do të propozojë nesër, munden që sado pak të ndihmojë në këtë drejtim!”, thuhet në postimin e tij në Facebook.
Sejdiu, idenë e tij e ka ilustruar me linkun ku tregohet zbulimi i pemëve të mençura, të cilat janë të vendosura në qytete të ndryshme të botës, përfshirë Glasgow në Britani të Madhe.
Në artikullin që e ka postuar Sejdiu thuhet se zbulimi i këtyre drunjëve është formë e re e mobiljeve në rrugët urbane që në një mënyrë largon ndotjen e ambientit.
Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë të jashtëzakonshme në orën 15:00, për të diskutuar lidhur me ndotjen alarmante të ajrit.
