Aktuale
Lipjani mban takim konsultativ për hartimin e Hartës Zonale

Kuvendi i Komunës organizuar nga Drejtoria për Planifikim Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit sot ka mbajtur takim konsultativ me Administratorët e fshatrave të Komunës së Lipjanit, përfaqësues nga sektori privat, ndërmarrjet publikike, komuniteti fetar, shoqëri civile për njoftimin e akterëve kyç të komunës rreth hartimit të Hartës Zonale.
Kryetari i Komunës Imri Ahmeti ka theksuar se Komuna e Lipjanit është në mesin e pesë komunave përfituese me këtë projekt nga organizata GIZ me të cilën kanë hartuar një partneritet të mirë për të hyrë në agjendë të përbashkët të nevojshme për zhvillimin e ardhshëm të Komunës së Lipjanit, transmeton InfoKomuna.
“Tani ne do hyjmë në një agjendë të projektimit ose të projeksioneve tona të ardhshme në kuadër të planifikimit hapësinor për të gjithë territorin e Komunës së Lipjanit dhe kjo është shumë e rëndësishme për të pasur qasje qytetarët e Lipjanit përmes pëfaqësuesve të tyre për të dhënë kontributin e tyre, ku projektohet e ardhmja zhvillimore e Komunës së Lipjanit në pikpamjet e ndërtimit në gjithë planin hapësinor që nënkupton edhe projektimin e zhvillimit në çdo lokalitet të komunës për periudhen 8-vjeqare”, ka thënë kryetari Ahmeti.
Ndërsa, drejtoresha për Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Emina Regjiq, ka prezantuar obligimet ligjore rreth planifikimit, duke elaboruar hartën zonale dhe procesin e hartimit të saj si dhe ka propozuar strukturën për organizimin e punëve.
Po ashtu gjatë këtij takimi është formuar ekipi komunal i planifikimit dhe (EKP) dhe ekipi këshillues i komuniteteve (EKK).
