Aktuale
Qeveria shkel memorandumin me britanikët për sekretar të MTI-së

Ishte 11 tetori i vitit 2017 kur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruario O’Cannell nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi.
Qëllimi i këtij memorandumi ishte që të sigurohet pavarësi dhe profesionalizëm në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese.
“Qëllimi i Memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në pikën 1 të memorandumit.
Por, emërimi i fundit i Qeverisë ka bërë që ky memorandum të mos respektohet. Qeveria dje emëroi Burim Rrecin sekretar të përgjithshëm në MTI.
Zyrtarë zyrtarë nga kjo ambasadë kanë thënë se një kandidat tjetër i plotësoi kriteret për këtë pozitë. Rreci në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat për asamblist nga Nisma.
“Rezultati përfundimtar sipas mendimit profesional të Partnerit Zbatues të projektit tonë gjen se vetëm një person kishte përmbushur kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë. Kandidatët e tjerë kishin dalë me më pak pikë dhe nuk ishin të nivelit për emërim në këtë pozitë. Në këtë pozitë nuk është emëruar kandidati i vetëm që ka përmbushur kriteret”, kanë thënë në një përgjigje për gazetën “Zëri” nga Ambasada Britanike në Kosovë.
