Aktuale
Reportazhi për gjendjen e Kullave të Jasharajve, përcillet me reagime të ashpra

Kullat e Jasharajve në Prekaz rrezikohen të rrëzohen për shkak të mos përkujdesjes dhe konservimit të tyre edhe pas 20 vjetësh nga sulmet serbe ndaj familjes Jashari.
Gjendja e rëndë e këtyre kullave është ngrit si alarm serioz edhe nga Fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.
Në lidhje me dëmtimet e mëdha dhe rrezikun e shembjes së kullave të Jasharajve një reportazh të gjatë e ka sjellur edhe Ndërtimi.info. Trajtimi i kësaj çështje nga Ndërtimi.info nxiti edhe më shumë reagime, duke bërë kërkuar intervenim të menjëhershëm nga institucionet kompetente, por edhe direkt nga Qeveria e Kosovës.
Për këto kulla ka reaguar Jusuf Thaçi nga Instituti ATOM, ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës. Në reagimin e tij me thirrje për ta shpëtuar Kompleksin Memorial të familjes Jashari, Thaçi e ka lidhur këtë çështje me zhvillimet aktuale në vend.
Ai, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që bëri homazhe për politikanin serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, i cili u vra në Mitrovicë, ndërsa e njëjta qeveri, sipas Thaçit, në emër të popullit i lë kullat e Jasharajve që të shkatërrohen.
“Në ndërkohë që Qeveria e Kosovës, në emër të popullit të Kosovës (meqë është institucioni më i lartë ekzekutiv i vendit), i bën homazhe zyrtarisht e publikisht një krimineli të dëshmuar serb, i cili ka qenë i përfshirë në dhjetëra vrasje të shqiptarëve (siç dëshmojnë shumë dëshmitarë ende të gjallë dhe shumë prova të tjera), po e njëjta qeveri, po në emër të popullit të Kosovës, lejon që Kompleksi i Familjes Jashari – simboli më i rëndësishëm, më domethënës e më kuptimplotë i luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, të shkatërrohet nën mëshirën e kushteve atmosferike. Të dyja këto paraqesin krim historik të Qeverisë së Kosovës, por ç’e do kur për udhëheqësit e institucioneve tona historia fillon e mbaron dhe sillet vetëm rreth jetës dhe karrierës së tyre politike, pa e kuptuar se në rastin më të mirë ata janë një hiç në histori”, ka shkruar ai në reagimin e tij.
Tutje, Thaçi ka bërë thirrje për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së që në bashkëpunim me familjen Jashari dhe Komunën e Skenderajt të marrin iniciativë për konservimin dhe ruajtjen e kullave.
“Duke e parë që Kompleksi i Familjes Jashari vërtet rrezikon të dëmtohet pariparueshëm, i bëj thirrje publike shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së (Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Veteranëve) që në bashkëpunim me Familjen Jashari dhe me Komunën e Skenderajt, në mënyrë tërësisht transparente, të ndërmarrin iniciativë për të grumbulluar mjete financiare nga qytetarët e Kosovës dhe nga gjithë shqiptarët anembanë botës, me të cilat do të hartohet dhe zbatohet projekti për konservimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari, si vlera më e rëndësishme kulturore e historike e Kosovës. Jam i bindur që cilado qoftë shuma financiare që kërkohet për këtë gjë, shqiptarët gjithandej botës do të kontribuojnë dhe shumë shpejt mund të mblidhet kjo shumë e mjeteve”, ka potencuar Thaçi .
Thaçi ka nënvizuar se po u pritën institucionet e Kosovës rrezikohet që Kompleksi i Familjes Jashari të mbetet veç një gërmadhë për gjeneratat që vijnë.
“Ne nuk guxojmë të lejojmë që me papërgjegjësinë tonë institucionale e qytetare ta rrënojmë Kompleksin e Familjes Jashari, nuk guxojmë të lejojmë që ne ta bëjmë atë që nuk mundi t’ia bëj Serbia me tankse e topa Kompleksit të Familjes Jashari”, ka shtuar ai
Kritikë për shtetin, në lidhje me gjendjen e kullave ka pasur edhe hoxha nga Drenasi, Osman Musliu.
“Kësaj i thonë shtet se jo mahi…!?”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër gazetari Besnik Krasniqi me prejardhje nga Drenica ka reaguar duke shkruar shkurt “Bac, t’harrunë!”, duke modifikuar një nga motot kryesore të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës “Bac, u kry”.
Ndërkaq, gazetari Arben Rugova përgjegjës për rrëzimin e mundshëm të kullave ka lënë disa institucione të vendit.
“Po ndodhi, turpi do t’ju mbuloje gjithë jetën! Po ndodhi e rrëzohet, atëherë nuk do te mund te arsyetoheni, zinxhirë do të jeni përgjegjës prej te zyrtaret e Komunës së Skenderajt e deri te kryeministri e presidenti i Republikës”, thuhet në reagimin e tij.
Këtu gjeni reportazhin e Ndërtimi.info për Kullat e Jasharajve https://ndertimi.info/nje-mengjes-mund-te-na-cele-me-kullen-e-rrezuar-te-jasharajve-krejt-po-e-thone-video/
