Aktuale
Tri palë e pretendojnë Shtëpinë e Gurit në Brezovicë

Shoqata e Bjeshkatarëve dhe skitarëve, Sport Marketing dhe Komuna e Shtërpcës janë në proces gjyqësor për shtëpinë e Gurit në Brezovicë.
Secila nga palët pretendon se posedojnë fakte qe kjo shtëpi e pushimit ju takon atyre, njofton Klan Kosova.
E ndërtuar në vitin 1965 e me pak investime në të 80-tat kjo shtëpi ka mbet pothuajse e njëjtë. Por shtëpisë së Gurit në Brezovicë prej ndërtimi shumë herë i janë ndërruar pronarët. Ky objekt me një parcelë 216 metra katrorë, Ejup Maxherra ish-kryetar i Federatës së Bjeshkatarëve e Skitarëve së Kosovës po thotë se e ndërtuan vetë anëtarët e kësaj federate.
“Shtëpia e Gurit në Brezovicë është ndërtuar në vitin 1965. E kanë ndërtuar në emër të Lidhjes së Bjeshkatarëve e Skitarëve të Kosovës nxënësit e shkollës së mesme të edukatës fizike dhe vullnetarë bjeshkatarë edhe skitarë, me vetë financim”, tha ai.
Ai kujton se me 1 nëntor 1980 me një marrëveshje e dha për shfrytëzim këtë objekt për një periudhë kohore prej 10 vite një kompanie publike të komunës së Prishtinës.
Por në vitet e 90-të, Maxherra thotë se objekti nuk i është kthyer Federatës. Komuna vazhdoi ta shfrytëzoj duke i dërguar nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës për të zhvilluar kursin e skijimit. E në maj të 2006-ës me një vendim të Kuvendit Komunal, të udhëhequr nga Ismet Beqiri objekti iu dha pronësi të përhershme kompanisë publike komunale “Sport Marketing”.
Vendimi u bazua në një vendim tjetër të nëntorit të 1994-ës të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë.
E Maxherra po ankohet se ky vendim u mor pa u konsultuar me Federatën e Bjeshkatarëve, madje pa u njoftuar fare me ta.
Me të marr vesh për vendimin, në 2005 Maxherra ngrit padi ndaj këtij vendimi në Gjykatën Komunale të Prishtinës.
Por “Sport Marketing” nuk e lejoi Shtëpinë e Gurit asnjëherë, ndonëse kishin vendimin e Gjykatës.
“Shtëpia e Gurit në Brezovicë i takon “Sport Marketing”. Kemi kërkesa, kemi indikacione, kemi pretendime edhe strukturat paralele të Komunës së Shtërpcës e kanë shfrytëzuar deri në 2004, pas luftës. Dhe kemi dëshmitarë kryesor”, tha zyrtari i Ndërmarrjes Publike “Sport Marketing”, Emrush Hyseni për klankosova.
Hyseni insiston që kjo shtëpi i takon “Sport Marketingut”, ndonëse nuk ofron ndonjë dokument që mund të dëshmojë këtë me arsyetimin se të tilla i ka dërguar në Gjykatë.
Por përveç se me “Sport Marketingut”, Federatës së Bjeshkatarëve dhe Skitarëve, u ka dalë telashe edhe me një uzurpues tjetër, siç e quajnë ata. Është Komuna e Shtërpcës e cila me një vendim të kuvendit të saj në prill të 2013 pronësinë e kësaj parcele, objektit ia ka kaluar Ndërmarrjes Shoqërore “Sharr” që është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
E përmes postës elektronike, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Yll Kaloshi ka njoftuar se në të gjitha takimet që ka pas me zyrtarët e Komunës së Shtërpcës këta të fundit gjithmonë kanë insistuar që ata e kanë ndërtuar objektin, pa ofruar ndonjë dëshmi.
As në AKP nuk kanë marrë ndonjë ftesë për seancë gjyqësore për çështjen e pronësisë. Dhe sipas Kaloshit kjo agjenci është e gatshme që të përgjigjet sapo të vij një ftesë e tillë nga Gjykata.
Këtë objekt, Fadil Sopi, kryetar i Klubit të Skitarëve të Prishtinës po thotë që e kanë të nevojshme për shfrytëzim, andaj nuk do të heqin dorë nga prona që sipas tij i takon Federatës së Bjeshkatarëve e Skitarëve të Kosovës edhe me Ligj.
E nevoja për investime në këtë objekt nuk janë të vogla.
