Arkitekturë
Gjinolli: Ka probleme me udhëzimin për harta zonale, e hartuan njerëzit jo-kompetent [video]

Një nga emrat më eminent për urbanizëm në Kosovë, profesori Ilir Gjinolli ka thënë se hartimi i hartave zonale në qytetet e Kosovës është duke u ballafaquar me probleme, që po e vonojnë procesin.
Uran Haxha
Gjinolli në intervistë për Ndertimi.info ka treguar se qysh në fillim, kur ka nisë hartimi i legjislacionit për këtë çështje ai ka pasur vërejtjet e veta. Sipas tij, njerëzit jo-kompetent e kanë hartuar ligin për Planifikim Hapësinor dhe udhëzimet administrative, transmeton Ndertimi.info.
“Unë kam qenë kundër këtij ligji të ri dhe kam qenë mjaft i zëshëm dhe tash po del se të gjithë atë që e kam thënë ka bazë. Njerëzit jo-kompentet, e them me shumë bindje, kanë hartuar një ligj, njerëzit jo-kompetent i kanë hartuar udhëzimet administrative me të cilat tash çdokush që është duke punuar ka problem”, ka thënë ai, duke u thelluar në probleme.
“Problemet fillojnë prej vëllimit të punëve që kërkohen që janë të panevojshme. Sidomos janë të panevojshme në mjediset tona, ku ende nuk janë kryer planet me një ligj, e dalim te ligji tjetër, e nuk jemi në gjendje që 5 vjet ende asnjë plan mos ta bëjmë në bazë të ligjit të ri. Nuk ka kurrëfar sistemi të përkrahjes prej atyre që e kanë hartuar ligjin, prej ministrisë. Udhëzimet që janë hartuar janë të pakuptueshme, të tejngarkuara, në fakt s’ka përgjigje pse nevojitet tërë ajo punë”, shtoi profesor Gjinolli.
Ai thotë se është injoruar dhe nuk është marrë për bazë në kohën kur është hartuar ligji, teksa sot as që komunikohet në këtë drejtim.
“Unë jam afruar në kohën kur është hartuar ligji, e tash s’kanë dëshirë që as të komunikojnë. Nuk e di me të tjerët, por me mua jo. Këtu është çështja e inateve ose e interesave të dikujt”, tha Gjinolli.
Intervistën e plotë ndiqeni më poshtë:
