Aktuale
Një euro për metër katror taksë për legalizimin e objekteve pa leje

Taksa për legalizimin e objekteve pa leje për kategorinë I dhe II do të jetë 1.00 euro për metër katror.
Kështu bën të ditur Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke theksuar se janë të angazhuar në këtë çështje.
Në kategorinë e parë ë ndërtimit, në të cilën hyjnë ndërtime me rrezikshmëri të ulët dhe për ato të kategorisë së dytë , ku bëjnë pjesë ndërtime me rrezikshmëri të mesme kompetente për lëshimin e lejeve të ndërtimit janë komunat përkatëse, ndërsa për kategorinë e tretë, ku bëjnë pjesë objektet me rëndësi të veçantë për vendin, lejet i lëshon MMPH-ja.
Në Parlamentin e Kosovës ka kaluar në lexim të parë Projektligji i trajtimit të ndërtimeve pa leje. Si rezultat i lobimit dhe avokimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe përmes Kolegjiumit për Planifikim Hapësinor, në këtë projektligj janë inkorpruar edhe rekomandimet dhe kërkesat e komunave.
“Angazhimi i AKK-së në këtë drejtim është përqendruar në kërkesat e komunave për ndarjen dhe uljen e taksës për legalizim sepse kjo taksë ka shtyrë qytetarët që të mos aplikojnë për legalizimin e objekteve pa leje. Kështu me Projekligjin e ri, taksa për legalizim për kategorinë I dhe II do të jetë 1.00 euro për metër katror, ashtu si ka kërkuar Asociacioni i Komunave të Kosovës”, thonë zyrtarët e AKK-së.
Duhet theksuar se në Kosovë janë evidentuar mbi 350.000 ndërtime pa leje kurse për shkak të ligjit të deritanishëm për legalizim në tërë komunat e Kosovës nuk kanë aplikuar as 5% e tyre. Ky fakt ka shtyrë komunat e Kosovës që përmes AKK-së të fillojnë lobimin në nivel qendror për fillimin e ndryshimeve në këtë drejtim e që tash ky lobim po jep rezultatet e tij.
Përmes këtyre ndryshimeve në Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, komunat do të kenë mundësinë që me sukses të përfundojnë trajtimin e ndërtimeve pa leje ekzistuese duke vendosur siç duhet rregull në fushën e ndërtimit, dhe që të ketë një prerje të periudhës së ndërtimeve pa leje në mënyrë që procesi i legalizimit të përfundojë një herë e përgjithmonë në të ardhmen nëpër komunat por edhe në anën tjetër t’ia bëjnë më të lehtë qytetarit legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje përkatëse.
