Featured
Edhe pse kontrata u nënshkrua, ndërtimi i Spitalit të Ferizajt duhet të pres ende

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhje lokale në Kosovë, Uran Ismaili që atëherë vetëm kishte marrë postin e ministrit të Shëndetësisë, kishte vizituar Ferizajn. Aty i kishte premtuar se në ditën e parë si kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, do ta festonte nisjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Atij iu nënshkrua një kontratë, por duhet të pres ende për fillimin e punimeve.
Kaloi dita e parë, e dytë e kështu kaluan edhe muaj, por nuk lëvizi asgjë në atë drejtim. Tek më 25 Janar 2018, ministri Ismaili nënshkroi një kontratë me sekretarin e ministrisë, në prani të një medie. Nga aty u tha se brenda tre vitesh do të përfundojë ky projekt që është zvarritur për 4-5 vite.
“Ky besoj që është projekt i cili do të përfundoj brenda 3 viteve, pra do të kryhet në këtë mandate qeverisës, nuk do të lejojmë një zvarritje, sepse ky projekt është zvarritur është që 4-5 vite, duke tentuar të përfundojë”, tha ministri Uran Ismaili.
Edhepse u tha disa herë nga ministri Ismaili se nuk do të ketë zvarritje, kjo çështje pritet të përcillet përsëri me zvarritje. Kontrata e nënshkruar më 25 Janar nuk është “goditja” e fundit e procedurave me letra dhe zyre për Spitalin e Ferizajt, që të fillojnë punimet tash, raporton Ndertimi.info.
“Kontrata e nënshkruar s’ka qenë për fillim të ndërtimit. Është kontratë e Ministrisë që zotohet se do të nisin punimet për ndërtimet e Spitalit të Ferizajt”, thuhet nga një burim brenda ministrisë për Ndërtimi.info.
Ndërtimi.info është interesuar pranë Sekretarit të MSH-së, për të kuptuar se çfarë përmbajtje ka kontrata e nënshkruar mes tij dhe ministrit Ismaili. Përgjigja e marrë nga ministria është : “Kontrata parasheh ndërtimin e një Spitali të Përgjithshëm për Komunën e Ferizajt, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore dytësore sa më gjithëpërfshirëse për qytetarët e kësaj komune dhe rajonit përreth. Ndërtimi do të jetë i financuar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë/Republikës së Kosovës”.
Edhe nga vet Ministria e Shëndetësisë thuhet se punimet s’kanë filluar ende, por se “MSH është në fazën përfundimtare të inicimit të punimeve”. Këto punime do t’i kryej kompania “Arbëria”.
Maratona e zgjedhjes së operatorit kontraktues
Ndërtimi i këtij spitali po ecën në një maratonë shumë të gjatë. Disa herë është zgjedhur një operatorë që të ndërtojë spitalin e më pas është anuluar apo është kthyer në rivlerësim.
Vlera e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e kësaj godine shëndetësore për herë të parë ishte vendosur 8,980,231.93 euro. Por dy muaj më vonë MSH e përmirëson veten dhe thotë se vlera e parashikuar është 11,981,921.3 euro. E ditët për kryerje të projektit u vendosen të ishin 300 ditë pune, si projekt 3 vjeçar, ku në vitin e parë investimi të ishte 20%, teksa dy vitet tjera me nga 40%.
Pas procedurave, fitues i parë i këtij tenderi ka qenë “Al-Trade” më 18 nëntor 2016. Pas një ankese në OSHP, “Al-Trade”-s i anulohet ky tender me vlerë 9,468,000.94 euro. Tenderi anulohet pas ankesës në OSHP më 7 shkurt 2017.
Në mars të 2017-s, Ministria e Shëndetësisë vendos që tenderin t’ia japë një konzorciumi i përbërë nga “Favor-Ing”, “As-Ing” dhe “Çlirimi”. Vlera e kontratës te ky konzorcium ishte më e vogël se sa me “Al-Trade”. Ajo ishte 8,916,285.44 euro. Mirëpo edhe ky tender u anulua më 17 korrik 2017, pasi ankesat kishin shkuar në OSHP.
Më 24 korrik, MSH përsëri e jep kontratën te një kompani tjetër. Por, rrjedhimisht po rritet edhe vlera e kontratës së ofruar nga Operatori Ekonomik, që kësaj radhe ishte “Arberia Com”. Vlera e ofruar nga ata është 10,235,587.105 euro. Mirëpo, kaq pastër nuk do të kalojë as kjo kompani.
Ankesa ka ardhur nga kompania N.T.P “Çlirimi”, që ka qenë pjesë e konzorciumit që i është anuluar tenderi paraprakisht. Ajo pretendon që në dhënien e këtij tenderi janë bërë shkelje ligjore e diskriminim në përzgjedhjen e kompanisë e cila do merret me ndërtimin e objektit.
Në ankesën e N.T.P Çlirimit thuhet se Autoriteti Kontraktues nuk ka bërë trajtim të barabartë të ofertave duke diskriminuar kompaninë e tyre, e duke favorizuar kompaninë fituese të pa përgjegjshme dhe me çmimi shumë më të lartë.
Deri në vendimin e OSHP-së për këtë tender, mbeten dy kontrata të anuluara dhe një e kontestuar.
Përfundimisht operatori ekonomik që do ta ndërtojë spitalin është “Arbëria”, me një kontratë për projekt 3-vjeçar, që vlen 10,235,587.105 €.
Ndërtimi i këtij godine shëndetësore është menduar të jetë i përbërë nga Bodrumi+Suteren+Përdhesë+4 kate. Në tërësi është menduar të ketë kapacitet 250 shtretër.
