Aktuale
Rritja sekrete e vlerës së kontratës për ndërtimin e autostradës ”Arbën Xhaferi”

Vlera e kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi” ka pësuar ndryshime në vitin 2015. Larg syve të publikut Qeveria dhe kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” janë pajtuar që vlera të rritet për 8.5 milionë euro në emër të përshkallëzimit të TVSH-së. Nga deputetët ky veprim i Qeverisë po cilësohet mjaft i dyshimtë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Krahas pretendimit prej 63 milionë eurosh nga konsorciumi “Bechtel-Enka”, shteti i Kosovës dyshohet se është dëmtuar edhe me 8.5 milionë euro në projektin për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Larg syve të publikut, në dhjetor të vitit 2015, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e konsorciumit “Bechtel-Enka” kanë nënshkruar një ndryshim milionësh në vlerën e kontratës. Bëhet fjalë për 8.5 milionë euro më shumë sesa çmimi me të cilin ishte nënshkruar kontrata në fillim.
Ky ndryshim është bërë i njohur në një raport konfidencial të ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta “Zëri”.
Kjo çështje ka ngritur shqetësime në radhët e deputetëve që janë pjesë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Në raport thuhet se ndryshimi në vlerën e kontratës u bë si pasojë e zbatimit të pakos fiskale në vitin 2015, përkatësisht rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 për qind.
Kjo diferencë u kalkulua në vlerën e kontratës “Arbën Xhaferi”, me një kosto prej 8.5 milionë eurosh.
“Nga 1 shtatori 2015, në përputhje me Ligjin Nr.05/L-37, TVSH-ja u rrit nga 16 % në 18 %. Ky ndryshim e rriti TVSH-nq e projektit me 8, 404, 168.32 euro, ekjo e rroto edhe çmimin e kontratës nga 599, 944, 263.35 euro në 608, 348, 430.87 euro. Rideklarimi i kontratë u arrit në mes të palëve më 29 dhjetor 2015”, thuhet në raportin e ministrit Lekaj.
E paqartë ishte nëse ky ndryshim isht paraprë me kontratë.
Mirëpo as nga Ministria e as nga kompania nuk e kanë sqaruar këtë çështje.
