Aktuale
Mbi 2 milionë euro për parkingun nëntokësor tek Sheshi “Italia”

Bashkia e Tiranës ka shpallur operatorin ekonomik fitues që ka bërë ofertën më të mirë për ndërtimin e një parkimi nëntokësor, pranë sheshit “Italia” në krah të stadiumit të ri kombëtar.
Në tender morën pjesë me oferta 6 kompani, apo bashkime të operatorëve ekonomikë, por pas skualifikimit të 5 ofertave për mosplotësim të kritereve, fituese është shpallur oferta e kompanisë “Albstar”, me adresë në zonën industriale Pator, Fier.
Tashmë ky operator do të negociojë kontratën me Bashkinë e Tiranës, për propozimin me vlerë 336.7 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.52 milionë euro.
Pas firmës, ndërtimi i parkimit nëntokësor do të kërkojë 12 muaj kohë, çka do të thotë se do të jetë gati në kohë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020. Kjo do të thotë se do të mund të ofrojë zgjidhje për problemet e trafikut dhe parkimit në ditët kur kombëtarja luan në kryeqytet.
Parkimi do të përbëhet nga 2 kate parkimi, ku në katin -1 do të jenë 92+2 vende për automjete, ndërsa në katin -2 janë parashikuar 104 poste parkimi, pra për një total prej 198 vendesh. Këto vende parkimi i shtohen kështu atyre të parkimit ekzistues në këtë shesh.
Sipërfaqja e të dy kateve është nga 3,587 metra katrorë, ndërsa pas parkimit, drejtuesit e automjeteve do të mund të ngjiten me 1 ashensor që do të instalohet, ose përmes shkallëve.
Pas përfundimit, ky do të jetë parkimi i tretë nëntokësor në Tiranë, pas atyre në “Sheshin Skënderbej” dhe Bulevardin e Ri. Deri në fund të muajit Tetor, këto dy parkime kanë shitur rreth 86 mijë bileta, për një vlerë prej të paktën 26 milionë lekësh.
