Aktuale
Ja si vepron Shqiperia me 28 mije ndertimet e palegalizuara

Për të zgjidhur ngërçin për mbi 28 mijë dosje ndërtimesh ende të paregjistruara do të përdoren hartat e ALIZNI-t dhe jo Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë.
Kjo është deklaruar nga kreu i ALUIZNI-t,në Shqipëri Artan Lame, sipas të cilit unifikimi i hartave do të sjellë zgjidhje për të gjitha rastet me mbivendosje që kanë përfunduar në sirtarë.
I pranishëm në studion e Vizion+, Lame tha se hipotekat kanë një problem të hershëm, që e ka zanafillën në 1912.
“Nuk është çështje që mund të zgjidhet brenda një dite. Kemi të bëjmë me një plagë të mahisur prej një shekulli në sistemin e regjistrimit të pasurive të shtetit shqiptar. Shtuar kësaj, problematikat e ditëve të sotme, të cilat kanë ardhur sa prej politikës, aq edhe prej mungesës së vullnetit dhe mbivendosjes së ligjeve njëri pas tjetrit.
Sa u takon hartave, ALUIZNI ka harta me vlerë joligjore, por të sakta. Hipoteka ka harta me vlerë ligjore, por jo të sakta. Kjo, sepse ALUIZNI ka shkuar shtëpi më shtëpi për të bërë matjet. Me bashkim, synojmë të bëjmë pikërisht këtë, të unifikojmë hartat. Për ato raste kur ka mbivendosje, probleme hartografike, të përdorin hartografinë e ALUIZNI-t pasi është më e saktë”, theksoi Lame.
Kreu i ALUIZNI-t u ndal edhe në hipotekimin e pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Sipas Lames, janë të panumërta tipologjitë e problematikave të vërejtura gjatë fazës së identifikimit, madje është shkuar deri aty sa një apartament është shitur 5 herë, pra iu është dhënë 5 familjeve të ndryshme.
Po ashtu, ka raste kur pallati është me leje ndërtimi, por është ndërtuar një kat apo shtesë pa leje. Ka ndodhur që lekët i janë dhënë ndërtuesit, por ky i fundit nuk ka ndjekur procedurat e hipotekimit dhe, më keq akoma, nuk bëhet më i gjallë duke fshirë çdo kontakt me banorët. Po ashtu, janë një tjetër kategori pallatesh që janë tërësisht informale, pasi janë ngritur pa pasur një leje ndërtimi.
“Kërkojmë ndihmën e qytetarëve. Së pari, kërkojmë durim, pasi nuk mund të pretendojnë që një problem që ka 22 vjet, të zgjidhet brenda dy javëve. E dyta, kërkojmë pjesëmarrjen e qytetarëve për të sjellë dokumentacionin që disponojnë.
Shumica prej këtyre pallateve nuk kanë asnjë dokument, ndaj kërkojmë ndihmesën e qytetarëve për të depozituar të gjithë dokumentacionin që disponojnë. Është mirë që këto familje të organizohen me njëri-tjetrin, në mënyrë që procesi të jetë më i thjeshtë edhe për ne, sepse është me e lehtë që të operohet nëse ka një përfaqësues”, tha Lame.
